Regjisorja Burbuqe Berisha humbi jetën këtë të mërkurë në moshën 51-vjeçare, teksa ndodhej në zyrën e saj në Ministrinë e Kulturës. Policia e Kosovës në raportin e saj e ka cilësuar vdekjes e regjisores si të dyshimtë, teksa ka bërë me dije se vdekja është konstatuar nga mjeku kujdestar dhe trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
“VDEKJE E DYSHUAR; Viktima femër kosovare është gjetur pa shenja jete në zyrën e saj në Ministrinë e Kulturës. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, ka njoftuar policia.
Varrimi i regjisores Burbuqe Berisha do të bëhet sot në orën 15:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë. Lajmin për ceremoninë mortore e ka bërë motra e saj, Trëndelina Berisha, e cila ka bërë bërë edhe një dedikim prekës për të.
“Motra ime, shpirti im i bardhë, ti që ishe motër, nënë e babë për ne, mua, Vjollcën dhe Dardanin. U rritëm me shumë sakrifica, pa prindërit tanë, por gjithmonë qëndruam të lidhur e të bashkuar. Krahu ynë sot u këput, ike papritmas dhe na le në pikëllim të thellë e me zemër të thyer. Nuk ka fjalë që ta përshkruajë dhimbjen që ndiejmë për humbjen tënde. Kontributi yt ishte shumë i madh jo vetëm për familjen por edhe për gjithë vendin tonë! Pusho e qetë shpirti jonë i bardhë!”, ka shkruar e motra e regjisores së ndjerë.



















