Regjisorja e njohur në Kosovë Burbuqe Berisha ka ndërruar jetë ditën e sotme në ambientet e Ministrisë së Kulturës.
Shkak për vdekjen e 51-vjeçarjes mendohet se është bërë ataku në zemër. Këtë lajm të trishtë e ka bërë me dije edhe Ministria, e cila ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik.
“Me pikëllim ju njoftojmë se sot në mesditë në Ministrinë e Kulturës papritmas ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha. Jemi thellësisht të prekur nga kjo ngjarje dhe u shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik”, thuhet në njoftim.
Më tej në komunikatën e Ministrisë vlerësohej roli i Berishës si regjisore e një numri të madh filmash, “Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar. Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi. Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, si dhe ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”. Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës”.