Bukuri, talent, thjeshtësi: një nga ikonat e kinematografisë shqiptare, një prej figurave më të dashura e të vlerasuara të artit shqiptar, kremton sot 78 vjetorin. Roza e nisi karrierën në Teatrin Migjeni të Shkodrës, dhe ishte ishte vetëm 20 vjec kur hyri në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo, 1963). Prej aty, nuk u ndal më, duke i dhuruar publikut shqiptar emocionin e lojës së vet të shkëlqyer, përpos figurës së saj aq të vecantë.
Jeta nuk ishte e treguar shumë e butë me të: i ati në vitin 1950 u dënua me 15 vite burg për akuza politike. Mbi Rozën, nënë dhe motrën u përplas me të gjithë ashpërsinë e saj lufta famëkeqe e klasave.
Asaj iu ndërpre e drejta për të vazhduar liceun artistik në Tiranë, duke e përjashtuar pas vetëm dy muajsh mësimi.
Roza u kthye në Shkodër, ku në vitin 1965 u diplomua në degën e dëshiruar. Gjatë jetës së saj, luajti në mbi 20 filma dhe fitoi disa çmime të rëndësishme kombëtare, ndërsa mban dhe titullin “Artiste e Merituar”.