Ekspertja e ISHP-së, Silva Bino, njëkohësisht anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve deklaroi se duke nisur nga dita e sotme do të aplikohet vaksinimi i fëmijëve të grupmoshave 12-15 vjeç që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Në një deklaratë për mediat, Bino tha se e njëjta gjë do të zbatohet edhe për grupmoshën 16-17 vjeç. Po ashtu ajo pohoi se sot ka nisur dhe aplikimi i dozës së tretë të vaksinës për moshat mbi 60 vjeç.
“Vaksinimi i fëmijëve 12 deri në 15 vjeç do të ndodhë për fëmijët që kanë sëmundje shoqëruese si psh, astma, sëmundje kronike të zemrës, kancer, etj. Këta janë fëmijët që do vaksinohen të parët. Po ashtu për grupmoshën 16 deri në 17 vjeç së pari do të vaksinohen ata të cilët kanë sëmundje bashkëshoqëruese”, tha ekspertja e ISHP-së.
Më tej ajo shtoi, “E vetmja vaksinë e aprovuar për fëmijët është Pfizer. Komiteti nuk e pa të arsyeshme vaksinën ‘Coronavac’. Natyrisht aplikimi i vaksinës do të kryhet sipas udhëzimeve. Do të merren dy doza dhe më pas edhe doza e tretë. Kjo vaksinë do të kryhet me miratimin e prindërve”.



















