Eventi më i madh i artit në Emiratet e Bashkuara “Dubai Art Expo” po afron.. Ai do të zhvillohet për 3 ditë rresht më 4,5 dhe 6 nëntor, dhe të pranishëm në të do të jenë 77 performues dhe 370 artistë nga 160 shtete. Në këtë event nuk do të mungojnë edhe artistë shqiptarë, dhe një prej tyre është Emira Zenelaj, e cila do të shfaqë fotografitë e punuara me mjeshtëri nga vetë ajo.
Emira Zenelaj ka mbaruar studimet për Arkitekturë dhe Dizajn Urban, ka ndjekur kurse të ndryshme për fotografinë në Paris dhe Milano, ka themeluar “Satin Design”, dhe ka qenë pjesë e disa projekteve arkitekturore dhe projektuese në Tiranë. Por, edhe pse ka shumë eksperienca, ajo thekson se sa herë përballesh me publik është e pamundur të mos ndjekë pyetja, a do të pëlqehen?
1. Emira, pak ditë para “Dubai Art Expo”, si ndihesh të ekspozosh punët e tua, në një event të këtij lloji?
Pak çudi, pak emocion, pak ndrojtje. Do ta përshkruaja si një përzierje ndjesish që për momentin më bëjnë të jem e angazhuar dhe e fokusuar për t’u paraqitur sa më mirë, sepse nëse i lë prioritet vetëm emocioneve, jam e bindur që nuk do të arrija të përfundoja asgjë në kohë.
2. Ndërkohë pjesë ekspozitës është një grup artistësh shqiptar mjaft të njohur. Të gjendesh dhe përballesh me ta, është një sfidë me vete…? Si u bëtë në fakt pjesë e kësaj ekspozite?
Për mua është kënaqësi dhe privilegj të ekspozoj me kolegë të afirmuar, më tepër se një përballje e shikoj si një shoqërim modest që fotografitë e mia i bëjnë veprave të tyre, një kombinim që i lënë frymë dhe mundësi shprehje secilit artist në veçantinë e tij.
Pjesë e kësaj ekspozite u bëra nëpërmjet një procesi përzgjedhës nga “Galeria Kalo” që na përfaqëson në këtë event në Dubai, e cila bëri dhe gërshetimin midis artistëve të afirmuar dhe atyre të rinj siç është dhe rasti im.
3. Kjo nuk është përballja juaj e parë artistike me një audience të huaj…
Jo nuk është eksperienca e parë jashtë kufirit, por është gjithmonë e njëjta ndjesi që të ndjek kur duhet të përballesh me publik, sado naive tingëllon, pyetja që të kumbon në vesh është: Po sikur mos të pëlqehet?
4. Ndërkohë, kureshtaret ku mund t’i shohin punët e tua përveç ëebsite-it tuaj?
Për momentin pjesa e madhe e punëve janë online në ëeb, aty kureshtaret mund të hulumtojnë nëpër katalogët e ndryshme të publikuara.
5. Studioja juaj SATIN DESIGN, – një emër jo i panjohur për lexuesit e BORDO, ka në fokus arkitekturën dhe dizajnin. Rutina e përditshme në studion tuaj, i vjedh kohë fotografisë, apo e motivon dhe e frymëzon atë?
Rutina e përditshme patjetër që i vjedh kohë fotografisë, por ka dy anë të rutinës që bashkëjetojnë përditë, e aq sa të merr kohë aq edhe të jep frymëzim nga detajet më të vogla dhe në dukje të parëndësishme. Është një bashkëjetesë që funksionon, nëse ke dëshirë t’i marrësh edhe pjesën pozitive.
6. Çfarë pritshmërish ke nga DAE, dhe çfarë pret të ndodhë pas kësaj ekspozite?
Pritshmëria e vetme momentalisht është që të përfaqësohem në mënyrë sa me denjitoze, për mua ishte vetë pjesëmarrja në një event të kësaj rëndësie një tejkalim pritshmërish për këtë moment.
7. U bënë mbi dy vite nga ekspozita juaj PHOS Exhibition. Në plane një tjetër ekspozitë?
Për momentin nuk kam në plan të çel një ekspozitë të re, por edhe më parë kam ecur me ndjesi në lidhje me këtë teme, ndaj do të gënjeja nëse do të jepja një përgjigje definitive.