Me rikthimin në punë më 4 janar, të gjithë punonjësit e administratës publike do të duhet të vërtetojnë se nuk janë bartës të Covid-19 për t’u pranuar në vendin e punës. I njëjti rregull do të vlejë edhe për ata që punojnë në biznese private dhe janë në shërbim të qytetarëve.
Në këtë mënyrë ata do të duhet të pajisen me një nga 3 dokumentet që tregon se nuk janë të infektuar. Certifikata e vaksinimit nga e-Albania do të jetë dokumenti i parë që do të kërkohet.
Në mungesë të saj të gjithë punonjësit e administratës publike punonjësit e supermarketeve dhe të qendrave tregtare, do të duhet të paraqesin një test PCR negativ çdo 5 ditë, respektivisht mëngjesin e çdo të hënë.
Dokumenti i tretë është ai që fakton se ke kaluar Covid-19 brenda gjashtë muajve të fundit. Certifikata e shërimit të Covid-19, lëshohet nga e-albania, ose nga autoritetet shëndetësore të vendit.
Komiteti teknik i eksperteve ka vendosur që nga paraqitja e këtyre tre dokumenteve përjashtohen personat që kanë dokument mjekësor të lëshuar nga mjeku për mos aplikimin e vaksinës.