
Suedia ka vendosur të rrëzojë rekomandimin e vaksinave anti COVID për fëmijët e moshës 5-11 vjeç, deklaroi Agjencia vendase e Shëndetësisë, duke argumentuar se përfitimet prej kësaj vaksine, nuk i tejkalojnë rreziqet.
“Me njohuritë që kemi sot, me një rrezik të ulët për sëmundje serioze për fëmijët, ne nuk shohim ndonjë përfitim të qartë nga vaksinimi i tyre,” tha zyrtarja e Agjencisë Shëndetësore Britta Bjorkholm në një konferencë për shtyp. Ajo shtoi se vendimi mund të rishikohet nëse hulumtimi ndryshon ose nëse një variant i ri ndryshon pandeminë. Fëmijët në grupet me rrezik të lartë tashmë mund ta marrin vaksinën.
Suedia regjistroi më shumë se 40,000 raste të reja më 26 janar, një nga shifrat më të lartë ditorë gjatë pandemisë, pavarësisht testimeve të kufizuara. Por ndërsa vala e katërt ka parë të thyhen rekordet e përditshme të infeksioneve, kujdesi shëndetësor nuk është nën të njëjtën tendosje si gjatë valëve të mëparshme.
Të enjten 101 pacientë me COVID kërkuan kujdes intensiv, shumë më pak se më shumë se 400 pacientë gjatë pranverës 2021. Në total, gati 16,000 njerëz kanë vdekur nga COVID në Suedi që nga fillimi i pandemisë. Qeveria e Suedisë zgjati të mërkurën kufizimet, të cilat përfshinin orë të kufizuara të hapjes për restorantet dhe një limit frekuentimi për ambientet e brendshme, për dy javë, por tha se shpresonte t’i hiqte ato më 9 shkurt.