Brad Pitt ka paditur ish-bashkëshorten e tij Angelina Jolie, duke e akuzuar se ka shitur ilegalisht pjesën e saj të pronës së tyre franceze, Château Miraval.
Pitt pretendon se ata kishin rënë dakord që asnjëri nuk do të shiste pjesën e tyre të Château, aty ku ata u martuan në 2014. Së fundmi ylli i “Fight Club” ka ngritur një padi ku pretendon se ndërsa vreshti u bë pasioni i tij, Jolie ia shiti me pafytyrësi pjesën e saj biznesmenit rus, Yuri Shefler, pa lejen e tij.
Në dokumentet e depozituara në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit thuhet se, “Jolie e përfundoi shitjen e supozuar pa dijeninë e Pitt, duke e ditur shumë mirë që biznesmeni rus do të kërkonte të kontrollonte biznesin e Pitt, ku ky i fundit ka investuar një shumë të madhe parash”.
Pasuria Miraval ndodhet në Correns në Francën Juglindore. Jolie, 46, dhe Pitt, 58 vjeç, blenë pronën në 2008 për 28.4 milionë dollarë, me qëllimin për të rritur fëmijët e tyre atje dhe për të ndërtuar një biznes familjar të verërave.



















