Meghan Markle është paditur për shpifje nga motra e saj Samantha Markle, e cila pretendon se Dukesha e Sussex-it ka gënjyer gjatë intervistës që ajo dhe Princi Harry dhanë për Oprah Winfrey-t gati një vit më parë.
Ajo thekson se Meghan ka gënjyer kur tha se në moshën 13-vjeçare duhej të bënte punë me paga të ulëta për t’ia dalë mbanë. Ajo pretendon se Dukesha, nënë e dy fëmijëve, nuk ka punuar kurrë për të paguar universitetin.
Sipas saj babai i tyre, Thomas Markle, pagoi që Meghan të ndiqte “shkolla private elitare dhe të shtrenjta”.
Samantha thuhet se akuzoi Meghan se ka ndikuar negativisht në shitjet e autobiografisë së saj, duke e penguar atë të gjejë punë dhe duke i shkaktuar shqetësime emocionale dhe mendore, për këtë arsye ajo po kërkon 75 000 dollarë dëmshpërblim.
“Kjo padi e pabazë dhe absurde është vetëm një vazhdim i një modeli sjelljeje shqetësuese. Ne do t’i kushtojmë vëmendjen minimale, pasi kjo është ajo çka meriton”, tha një përfaqësues i Meghan gjatë një deklarate.



















