E përlotur, Beatrix Ramosaj foli “me zemër në dorë” dy ditë parë në videon e postuar në rrjetet sociale, ku tregonte se cfarë ndikimi kanë pasur mbi të komentet e ashpra online që preknin jo vetëm këngëtaren, por edhe familjen e saj. Shumë personazhe publike i ofruan mbështetjen e tyre, përfshirë dhe të ëmën e Rita Orës, Verën, e cila është psikiatre.
Duke ripostuar videon e Beatrixës, Vera ka shkruar: “Stop bullizmit, shëndeti mendor ka rëndësi”. Beatrix e falënderoi, ndërsa mjekja vazhdoi: “Jemi komb i lashtë, kemi tradita të forta dhe rini të bukur. Le ta ndihmojmë njëri-tjetrin! Pavarësisht se për kë bëhet fjalë, bullizmi nuk ka vend në vendin tonë.” Ajo shtoi më tej se rrjetet sociale e kanë rritur mundësinë e njerëzve për të shprehur mendimin e tyre, por në të njëjtën kohë kanë shtuar edhe rrezikun e bullizmit, ndërsa tha se shumë prej bullizuesve nuk e mendojnë se si ngacmimet e tyre ndikojnë në shëndetin mendor të atyre që vënë në shënjestër.