Apple ka humbur pozicionin si kompania më e vlefshme në botë, pas shitjes së konsiderueshme të aksioneve të saj.
Investitorët kanë shitur aksionet që kanë pasur nëpër kompani të teknologjisë për të kaluar në ato që i shohin si investime më pak të rrezikshme. Vlera e Bitcoin-it, një nga valutat më të njohura digjitale, po ashtu ka rënë ndjeshëm.
Vlera e aksioneve të kompanisë Apple ka rënë për më shumë se 5 për qind këtë të mërkurë dhe tanimë vlera e saj shkon në 2.37 trilionë dollarë.
Kjo do të thoshte se Apple humbi pozicionin e saj si kompania më e vlefshme në botë ndaj prodhuesit të naftës dhe gazit Aramco, i cili vlerësohej me 2.42 trilionë dollarë.
Kompania prodhuese e naftës dhe gazit në Arabinë Saudite, Aramco, ka marrë kryesimin për herë të parë pas gati dy vjetëve. Vlera e aksioneve në këtë prodhues energjie është rritur këtë vit për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit natyror.



















