Viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar 2022-2023 do të nisë më 12 shtator. Vitin e ardhshëm nxënësit e arsimit 9-vjeçar do të kenë një javë pushime shtesë pak përpara përfundimit të vitit shkollor.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka bërë me dije se java e pushimit do të shërbejë që nxënësit të rimarrin energji në periudhën e dytë mësimore, por më tepër vlen për mësuesit të cilët do të kenë më shumë kohë për vlerësimet e nxënësve.
“Të dashur nxënës dhe mësues, ju njoftoj se sapo nënshkruam strukturën e vitit të ri shkollor 2022-2023 për të gjithë arsimin parauniversitar, i cili fillon më datë 12 shtator 2022.
Për nxënësit dhe mësuesit e arsimit 9-vjeçar lajmi i mirë është se vitin e ardhshëm do të kenë edhe një javë më shumë pushim pas periudhës së dytë mësimore, nga data 3-9 prill 2023.
Në këto ditë nxënësit do të pushojnë por edhe luajnë dhe argëtohen për të marrë energji të reja për periudhën e fundit, ndërsa mësuesit do të kenë më shumë kohë për vlerësimet e nxënësve dhe përgatitjet në vijim”, njoftoi ministrja e Arsimit.



















