Duke filluar nga 1 Maji do të mbyllen sportelet në institucionet shtetërore, për t’i hapur rrugë ‘epokës’ së shërbimeve pa sportele ku të gjitha shërbimet do të merren online.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama në aktivitetin informues të mbylljes së sporteleve të shërbimeve publike dhe kalimin e tyre online.
“Në 1 MAJ nis epoka e re e shërbimeve pa sportele. Shqipëria ka hyrë në elitën e vendeve më të zhvilluara për qeverisjen digjitale, dhe është ndër të parat që i ofron shërbimet me dokumente përmes platformës kombëtare digjitale.
Ky është një stacion historik i Revolucionit Digjital ku mbarojnë radhët, zvarritjet dhe bakshishet e një epoke që ka mbërritur në hapat e saj të fundit”, ka njoftuar kryeministri edhe në rrjetin social Facebook.