Festivali “Kënga Magjike” do të mbajë edicionin e tij të 23 në Pallatin e Kongreseve në datat 22 dhe 23 nëntor, me dy netët gjysmëfinale, për të vazhduar më pas më 24 dhe 26 nëntor. Në këtë edicion në netët live do të ngjiten 19 artistë të rinj shqiptarë dhe ndërkombëtarë të cilat do të performojnë këngët e tyre konkurruese.
Këngët pjesëmarrëse janë prezantuar javë pas jave në “Të dielën shqiptare”, dhe tashmë janë gati për t’u ngjitur në skenën e madhe. Këngëtaret që po diskutohen si pretendentë për çmimin e parë janë këngëtaret e njohur të muzikës shqiptare, Irma Libohova me këngën “E jona”, Mariza Konomi me këngën “Mama”, Marsela Çibukaj me këngën “I paftuar”, Vesa Smolica me këngën “ A po gëzohesh”.
Na mbetet të presim netët live për të parë perforrmancat e tyre dhe më pas se kush nga artistët do të arrijë të rrëmbejë kupën e edicionit të 23. “Kënga Magjike” këtë vit vjen te publiku me ndryshime, të cilat u bën me dije nga Ardit Gjebrea disa javë më parë në nisje të këtij edicioni, ku ndryshe nga sezonet e mëparshme festivali do të zgjasë katër netë dhe do të aplikohet teknologjia më e re televizive evropiane në paraqitjen e tij.
“Ky edicion do të jetë padyshim më i miri në historinë e festivaleve në Shqipëri, pasi për herë të parë aplikohet teknologjia më e re televizive evropiane në paraqitjen e tij. Për herë të parë artistët e huaj janë të një niveli që nuk ka ndodhur më parë në një garë në vendin tonë. Për herë të parë Kënga Magjike do të zhvillohet në 4 net, ku nata e tretë do të jetë Nata Finale Tradicionale Shqiptare dhe nata e katërt do të jetë Grand International Kënga Magjike.”.



















