
Operatorët telefonikë nga Ballkani Perëndimor dhe nga vendet e Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje për zvogëlimin e dallimeve ndërmjet çmimeve për shërbimet e telefonisë mobile brenda dhe jashtë vendit në të dy drejtimet, ka njoftuar Komisioni Evropian. Marrëveshja vullnetare, e firmosur nga 38 operatorë nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, thote REL, pritet të reduktojë shpenzimet për konsumatorët që udhëtojnë ndërmjet BE-së dhe rajonit, për të paktën një të tretën e çmimeve mesatare aktuale.
Kjo është një marrëveshje për të cilën u gjet kompromisi në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur dhjetorin e kaluar, në Tiranë.
Siç theksohet në njoftimin e KE-së, ulja e çmimeve nxit dhe thjeshtëzon shkëmbimet biznesore, kulturore, turistike dhe të tjera ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke forcuar lidhjet ndërmjet rajoneve fqinje. “Operatorët aktualisht po punojnë për krijimin e produkteve me çmime më të vogla se ato për të cilat u arrit pajtim, që do të jenë në dispozicion për blerje nga numri më i madh i mundshëm i konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
Nënshkrimi i marrëveshjes për reduktimin e çmimeve të roaming-ut u mirëprit nga komisionari europian për Zgjerimi, Oliver Varhelyi.
“Kjo marrëveshje vullnetare do t’i bëjë gjërat të parashikueshme, do të ndihmojë në eliminimin e befasive në faturat e konsumatorëve dhe do mundësojë reduktime të ndjeshme të kostove të roaming-ut për konsumatorët nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor”, ka thënë komisionari Varhelyi.
Ky proces mbështetet edhe nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, dhe nga Komisioni Europian. KE-ja i ka ftuar edhe operatorët e tjerë telefonikë nga BE-ja dhe rajoni për t’iu bashkuar iniciativës.