KreuStil Jetese

Zhdukni celulitin me duart e Kenës

Zhdukni celulitin me duart e Kenës

Ka një arsye pse Kena është zgjedhja e parë dhe e vetme e shumë prej emrave të njohur të jetës publike në Shqipëri, dhe është rezultati. Një prej estetisteve të para në Tiranë, Kena Gjuzi ndan me ne disa këshilla dhe informacione të nevojshme për zhdukjen apo minimizimin e celulitit, makthit të grave dhe vajzave.

Cilat janë metodat që përdorni ju për heqjen apo minimizimin e celulitit?

Metodat që përdor unë janë duart e Kenës, Kena’s Hands. Trajtimi i celulitit me masazhe me dorë është mënyra më e mirë për të minimizuar apo për të hequr celulitin. Së pari identifikoj llojin e celulitit dhe zonat më të prekura të trupit, dhe në varësi të nevojave përshtas masazhin dhe trajtimin e nevojshëm. Linfodrenazhi është masazh i domosdoshëm për trajtimin e celulitit. Me masazhin e linfodrenazhit bëhet e mundur rregullimi i qarkullimit të limfës dhe të lëngjeve, të cilat janë disa nga faktorët e shfaqjes dhe te zhvillimit të celulitit. Përdor masazhin me mjaltë me rrahje me pëllëmbët e duarve, masazhin me mjaltë me rrulin e drurit, me kafe, me baltë, etj. Por ajo që është e rëndësishme nga të gjitha këto është punimi me dorë i celulitit. Me anë të masazhit me dorë dhe produkteve ndihmëse bëhet e mundur ngrohja dhe zbutja e dhjamit nën lëkurë, dhe hapja rrugë e qarkullimit të lëngjeve të bllokuara midis qelizave dhjamore. Sipas etapave të trajtimit të celulitit përdor edhe bendazhin dhe prezoterapinë.

Pse masazhi me duar është shpesh më i efektshëm se trajtimet me makineri?

Makineritë janë shpikur për të lehtësuar punën e njeriut. Por janë disa gjëra kur makineria nuk e zëvendëson dot cilësinë e punës së dorës. Për shembull nga e njëjta pemë ulliri, vaji më i mirë dhe cilësor është ai i prodhuar nga shtypja e ullirit me këmbë, krahasuar me atë të shtypur nga makina. Kështu ndodh edhe me masazhin. Me duar unë arrij të shkoj në thellësi, aty ku është celuliti i lokalizuar. Me presionin e duarve dhe të gishtave arrij të ngroh, të zbus dhe formësoj masën e dhjamit të depozituar nën lëkurë dhe të zhbllokoj lëngjet e izoluara midis qelizave të dhjamit në mënyrë që të qarkullojë lirisht. Në këtë mënyrë masa e celulitit shpërndahet dhe këmba bëhet si shishe birre, siç e duam të gjithë për të shkuar në plazh (qesh).

Pas sa seancash mund të kemi një rezultat të kënaqshëm?

Në varësi të problemit dhe gjendjes së celulitit zgjat edhe trajtimi. Përgjithësisht ndryshimet fillojmë t’i shohim dhe ndjejmë që pas seancës së tretë të trajtimit. Por pas dhjetë seancave, me një kohëzgjatje të shkurtër nga njëra-tjetra, do të shohim rezultate të dukshme dhe një lehtësim shumë të madh të këmbëve dhe të trupit. Por dua të theksoj që është shumë e rëndësishme që seancat e trajtimit të bëhen intensive, që do të thotë të paktën tre seanca në javë. Nëse bëjmë një seancë në muaj nuk mund të presim rezultat.

Çfarë duhet të kemi parasysh gjatë periudhës që bëjmë seancat e masazhit anticelulit?

Një nga shkaqet e shfaqjes dhe krijimit të celulitit është ushqimi i keq dhe kalorik. Trajtimet anticelulit duhet të shkojnë paralelisht me rënien nga pesha për personat që janë mbi peshë, ose me rregullimin e mënyrës së të ngrënit për ata që nuk kanë probleme peshe, por që kanë një mënyrë të çrregullt të ngrëni. Trajtimet anticelulit ndihmojnë për qarkullimin dhe shkarkimin e lëngjeve, por nuk bëjnë të mundur rënien nga pesha apo uljen e masës dhjamore. Modelojmë masën dhjamore, nuk arrijmë dot ta zvogëlojmë atë. Rezultatet më të mira dhe më të shpejta të trajtimit të celulitit i kemi nëse kujdesemi me ushqimin, hidratojmë mirë trupin dhe bëjmë aktivitet fizik.

Shpesh ne kujtohemi shumë afër stinës së verës për të trajtuar trupin. Mund të kemi rezultate edhe ne këto raste?

Kur duhet të fillojmë të zhvishemi në plazh, kujtohemi për celulitin që na bën të mos ndihemi mirë dhe të vrapojmë të bëjmë trajtimet që të kemi rezultate çudibërëse. Në fakt duhet t’i fillojmë më herët trajtimet jo në çastet e fundit, sepse edhe rezultatet do të jenë të vështira. Për të patur rezultate të mira do të ishte mirë që trajtimet të fillohen të paktën dy deri në tre muaj përpara fillimit të sezonit të plazhit. Por do të ishte më e mira që trajtimet e mirëmbajtjes të bëhen gjatë gjithë vitit, edhe gjatë dimrit, në mënyrë që të mos jemi në verë me një gjendje të përkeqësuar të celulitit dhe të detyrohemi të bëjmë trajtime intensive që shpesh mund të jenë edhe të dhimbshme.

Kemi parë që klientët tuaj janë emra të njohur publikë. Çfarë e ka bërë punën tuaj të suksesshme?

Unë tashmë kam rreth 15 vjet që punoj në këtë profesion në Tiranë. Mbase po tregohem modeste, por mund të them që jam ndër estetistet më të vjetra dhe me më shumë eksperiencë në Tiranë. Në qendrën time janë trajtuar jo vetëm personazhe të njohur ekranit, politikës, biznesit, etj., por edhe shumë të tjerë më pak të njohur. Unë nuk i kategorizoj njerëzit në persona të njohur apo të panjohur, tek unë trajtohen të tërë njësoj. Ajo që mbase më bën të veçantë dhe bën që njerëzit të zgjedhin të bëjnë trajtimet në qendrën time, është që ndihen mirë pasi dalin nga qendra. Ne nuk bëjmë vetëm trajtime anticeluliti, bëjmë edhe shumë trajtime të tjera estetike, si trajtime fytyre, trajtime trupi, depilime, masazhe relax-i, etj. Kur drejtohesh te një qendër estetike, pritshmëritë janë që kur të dalësh prej aty të ndihesh e bukur, e çlodhur, me energji pozitive. Me sa duket njerëzit ndihen pikërisht kështu kur dalin nga qendra ime, prandaj vijnë.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF