
Nga Anita Aliaj
Kur dëgjon rrëfime jetësore emocionuese nga emra të suksesshëm, të zgjohet një dëshirë, e kërshëri e pashpjegueshme, për të zbuluar më shumë rreth këtyre rrugëtimeve frymëzuese. I tillë ka qenë rrugëtimi i ikonës së futbollit Ansi Agolli, një prej figurave të njohura, jeta e të cilit nuk ka qenë vetëm brenda katrorit të fushës së blertë. Futbollisti i cili na ka bërë krenarë, e ka gdhendur emrin e tij në futbollin shqiptar dhe jo vetëm, duke rrëmbyer zemrat e mijëra tifozëve. Përpos talentit, trofetë dhe sukseset për Ansin kanë ardhur vetëm falë punës së madhe, me përulësi, duke mos u tunduar nga asgjë. Për “Bordo”, ai rrëfen eksperiencën e gjatë, momentet kulminante, çelësin e sukseseve, e së fundmi jetën e re në Amerikë, akademitë e krijuara me shumë dashuri dhe për familjen e tij të bukur, që siç shprehet, rrallë gjen kohë të kalojë me ta, nga sa do të dëshironte. Ansi ndihet krenar që e bëri realitet ëndrrën e fëmijërisë, luajti futboll, e mbajti premtimin dhënë të atit, që një ditë të bëhej futbollist, por ai shkoi përtej, gdhendi emrin mes legjendave të gjalla të kombëtares shqiptare të futbollit.
“Historia ime”, një dokumentar për karrierën tuaj, cili ishte momenti që ju emocionoi?
Historia ime ka disa momente emocionuese. Është një maratonë me disa etapa dhe çdo etapë ka një objektiv të arritur që përmban brenda punën, sakrificat, mban edhe dështimin, ringritjen, fitoret dhe objektivat e arritura me emocionet përkatëse. Unë do të veçoja fillimet e deri në momentin që kalova te skuadra e parë e Tiranës. Kjo ishte edhe periudha ku u ndërtua edhe stereotipi, ose u vunë bazat për objektiva edhe më të mëdha që e ardhmja kishte rezervuar.
Zakonisht dokumentarët janë një epilog për karrierë, po për Ansin çfarë do të thotë?
Është ilustrimi i viteve më të bukur të jetës sime, kujtimet profesionale dhe njerëzore me kolegë, trajnerë, drejtues e familjarë. Gjithashtu, shumë me rëndësi për mua është edhe mesazhi që përcjell historia ime për fëmijët, të rinjtë e të rejat që ndjekin ëndrrën e tyre për t’u bërë futbolliste/futbollistë profesionistë.
Në rrugicat e Tiranës…, kush ju zbuloi si talent në futboll, si e kujtoni?
Le të themi që ai që më dha shtytje mjaft të madhe në fillimet e mia ka qenë babai im, ishte ai që më mësoi hapat e parë të futbollit deri në momentin që më regjistroi te skuadra e të vegjëlve të Tironës, ku trajner ishte Luan Sengla.
Si është të prezantosh Ansin, por edhe futbollin shqiptar në stadiumet botërore?
Ka qenë përgjegjësi dhe krenari sepse nuk përfaqësohet vetëm Ansi si emër, por edhe vlerat profesionale të një futbollisti shqiptar, i rritur dhe i formuar në një shkollë futbolli shqiptare.
Pas kaq vitesh karriere dhe trofesh, cili mendon se ka qenë çelësi i suksesit?
Çelësi është të respektosh dhe ta duash atë që bën. Puna e palodhur është faktori kryesor për të patur një vazhdimësi, për të arritur objektivat që i vendos vetes. Sigurisht që mbas çdo objektivi të realizuar duhet të jesh i përulur, mos tundohesh nga ambienti i jashtëm, por kokulur të vazhdosh të punosh akoma më shumë për objektiva të tjerë. Edhe nëse mendon se arrin majat, nuk duhet të vetëkënaqesh. Futbolli është një sport universal që deri në momentin që ‘var këpucët në gozhdë’ të jep mundësinë të mësosh, të përmirësohesh akoma më shumë profesionalisht. E sikurse është një sport kolektiv, duhet edhe të mësosh si të respektosh e të jesh në harmoni me kolegët, trajnerët dhe drejtuesit në ekipin përkatës që luan.
Zhvendosja në Amerikë, si ka qenë për ju, a ka të njëjtin emocion me atë evropian?
Zhvendosja në Amerikë ishte le te themi hapi për ta lënë sa më butë futbollin. Nga ana tjetër ishte për mua një eksperiencë mjaft e bukur për të prekur futbollin amerikan, mentalitetin se si e mendojnë këtu futbollin. Ka qenë një eksperiencë e bukur profesionale, por emocionet më të mëdha profesionale i kam marrë në Evropë.
A do të vazhdoni të jetoni përtej oqeanit apo keni në plan të riktheheni aty ku nisi gjithçka?
Për momentin jetoj këtu familjarisht dhe jam shumë i angazhuar me akademitë e mia të futbollit “AB7 Soccer Academy” dhe “Future SA”. Pa diskutim që jam mjaft i informuar për futbollin shqiptar e sigurisht që një ditë, pse jo mund edhe të kthehem.
Keni bërë krenar çdo shqiptar në fushën e blertë, po ju cilin do të veçonit si pikën kulmore të gjithë karrierës suaj?
Pa diskutim që pikat kulmore në karrierën time janë luajtja në grupet e Champions League klubin e futbollit Karabak, si edhe përfaqësimi në Euro 2016 me skuadrën kombëtare. Këto janë le të them qershitë mbi tortë të tërë atyre viteve futboll.
Si e kujtoni periudhën kur keni qenë kapiten i Kombëtares?
Të luash me skuadrën kombëtare, përveçse është kulmi emocional i krenarisë për çdo futbollist, është edhe përgjegjësi për atë që përfaqëson. Sigurisht të jesh kapiten, përgjegjësia ka qenë akoma edhe më e madhe, por me eksperiencë arrin ta menaxhosh. E rëndësishme është të mos harrosh të shkuarën dhe nga vjen, duhet të jesh gjithmonë i përulur, të respektosh dhe të jesh bashkëpunues me personat e çdo rangu me të cilët punon, duke filluar nga kolegët dhe trajnerët.
Po momenti kur e keni çuar Shqipërinë në Kampionatin Evropian?
Ka qenë një periudhë shumë dinamike, por me emocione që do të mbahen mend gjatë në memorie. Kishte momente në atë periudhë, që vetja na dukej si aktorë hollivudi (qesh)…! Pavarësisht se ambienti ishte mjaft i ekzaltuar dhe me të drejtë, thellë në vetvete mendoja që kishim bërë vetëm detyrën tonë, e cila përkoi me një rezultat historik për skuadrën kombëtare.
Besoj se shumë prej ëndrrave tuaja tashmë janë realizuar; çfarë synon tjetër Ansi?
Aktualisht unë kam 2 akademi futbolli me rreth 600 fëmijë. Synimi im kryesor është që eksperiencën time t’ia përcjell lojtarëve të rinj dhe të talentuar, që kanë ëndërr të bëhen futbollistë profesionistë.
Në kohën e lirë, çfarë ju pëlqen të bëni?
Koha e lirë nuk është shumë e madhe, por edhe kur kam, mundohem të lexoj e mësoj sa më shumë programe në mënyrë që t’i përshtat me filozofinë time të drejtimit të akademive. Çdo gjë rrotullohet drejt përmirësimit të akademive se si ato të ecin sa më lart.
Keni një familje shumë të bukur, sa kohë i dedikoni asaj?
Do të kisha dashur t’i kushtoja familjes dhe djalit të gjithë kohën, por me obligimet që kam është pak e pamundur. Sigurisht, kur kam kohë të lirë ja dedikoj tërësisht familjes.
A mund ta përkufizoni Ansin si bashkëshort dhe baba?
Bashkëshort dhe baba normal, por kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjet më saktë bashkëshortja ime (qesh).
Jeni babi i Blodinit, a keni në plan një fëmijë tjetër?
Sigurisht që po.
Çfarë ju mungon më shumë nga Tirana, tani që jetoni larg saj?
Shoqëria sigurisht, dhe deri në njëfarë pike rutina e Tiranës.
Cili është miku ose shoku juaj më i mirë nga lojtarët e Kombëtares?
Dy shokët e mi më të ngushtë që në fëmijëri janë Isli Hidi dhe Ervin Bulku, që të dy kanë qenë lojtarë të ekipit kombëtar.
Për çfarë jeni më shumë krenar në jetën tuaj?
Sigurisht për familjen dhe shoqërinë që kam. Nga ana profesionale jam krenar, sepse bëra atë që kisha ëndërruar që i vogël, luajta futboll, mbajta premtimin e babait tim që kishte shumë dëshirë të më shikonte të luaja si futbollist profesionist.
A keni një mesazh për të gjithë të rinjtë që duan të ecin në gjurmët tuaja?
Uroj që të rinjtë të ecin akoma edhe më lart se unë, por për ta bërë këtë duhet të punojnë sa më shumë, të besojnë në ëndrrën e tyre. Talenti nuk mjafton për t’u bërë futbollist, por talenti duke u shoqëruar me punë dhe përkushtim të çon përpara. Pa përkushtim nuk mund të fillosh diçka, pa qenë i qëndrueshëm në atë që bën, kurrë nuk mund ta përfundosh atë që ke nisur.


Ç’duhet të dini për fuqinë e tridentit!

Receta/ Linguini me lule kungulli!

Dries Van Noten: Frymëzuar nga ëndrrat!


Horoskopi mujor: gusht 2023!

Brenda eventit glamour të “Maison de Parfume”!

Meghan Markle feston 42-vjetorin e lindjes!



Horoskopi ditor, e shtunë 5 gusht 2023








