Me nisjen e vitit të ri shkollor, pritet të vihet në zbatim projekti ku në një orë mësimi të zhvillohen disa lëndë bashkë. Mësimi i kombinuar do të testohet fillimisht me lëndët e shkencave të natyrës, si, kimi, fizikë, biologji bashkë me matematikën.
Për të tërhequr më shumë nxënësit e klasave nga e 6 deri në të 9, ndaj lëndëve shkencore, në shkolla do të paraqitet platforma ‘PHET SIMULATIONS’ si mjet mësimdhënës nëpërmjet animacioneve. Ky aplikacion është pa pagesë dhe është projekt i realizuar nga Universiteti i Kolorados, ku mësuesit dhe nxënësit mund të regjistrohen pa pagesë dhe të mësojnë fizikën, biologjinë, kiminë e matematikën, duke u argëtuar.
Demonstrimet apo vizualizimet e dukurive të ndryshme fizike, kimike, etj., si dhe punët laboratorike virtuale janë krijuar për të ndihmuar nxënësit të zhvillojnë aftësi të reja kërkimore shkencore, duke e ndërthurur me mësimin tradicional. Ndërsa për mësuesit mundëson një zhvillim profesional të vazhdueshëm, duke përdorur një gamë të gjerë burimesh informacioni të mësimdhënies.
Platforma ‘phet simulations’ është përdorur vitet e fundit edhe për hartimin e testit PISA dhe i familjarizon nxënësit me këto ushtrime.
Mbetet për t’u parë se sa efektiv do të jetë ky projekt i ri, pasi jo të gjitha institucionet arsimore kanë infrastrukturën e duhur..