
Një version i paautorizuar i filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, u publikua gjatë fundjavës në platformën X, duke u parë nga miliona përdorues përpara se të hiqej për shkelje të të drejtave të autorit.
Sipas Variety, një prej postimeve që përmbante filmin në cilësi të lartë grumbulloi rreth 2,1 milionë shikime në vetëm dy orë e gjysmë. Llogaria që e kishte publikuar u pezullua menjëherë pas ndërhyrjes. Ndërkohë, The Hollywood Reporter bëri të ditur se një tjetër version, me cilësi më të ulët, qëndroi online për rreth dy orë dhe arriti afro 50 mijë shikime përpara se të hiqej.
Publikimi i paligjshëm shkaktoi debat në rrjetet sociale. Shumë përdorues reaguan me humor, duke komentuar se “Christopher Nolan me siguri nuk e kishte imagjinuar filmin e tij të plotë në një postim në X”, ndërsa të tjerë u habitën se si një kopje e plotë mundi të qarkullonte në platformë.
Pas incidentit, Universal Pictures konfirmoi se ndërmori menjëherë masa për heqjen e materialit. Studioja theksoi se shkeljet e të drejtave të autorit trajtohen me seriozitet maksimal dhe paralajmëroi se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore të nevojshme për mbrojtjen e pronësisë intelektuale.
Megjithëse filmi u shpërnda ilegalisht në internet, kjo nuk duket se ka ndikuar në suksesin e tij në kinema. Gjatë fundjavës së dytë të shfaqjes, “The Odyssey” siguroi 215 milionë dollarë të ardhura në nivel global, duke e çuar totalin në 640 milionë dollarë.
Me Matt Damon në rolin kryesor dhe një kast të njohur aktorësh, filmi shënon edhe një arritje teknike, pasi është prodhimi i parë kinematografik i realizuar tërësisht me kamera IMAX 70mm, format që Christopher Nolan e konsideron mënyrën më të mirë për ta përjetuar filmin në ekranin e madh.
