KreuBusull

Treni mes shtëpive, ura në duar gjigante dhe tunelet e luftës: Brenda Vietnamit të pabesueshëm

Të shkosh në Vietnam nuk është thjesht një udhëtim edhe aq. 

Mund ta konsiderosh udhëtim jete. Njëherë teksa bisedoja me një çift të moshuarish që i kishin rënë pothuaj globit përqark, zotëria thotë: - “Kam bredhur gjithë botën, por Vietnami dhe Islanda janë pa diskutim dy vendet më të bukura dhe më mbresëlënëset ndër të gjitha”.

Kisha dyshimet e mia derisa e vërtetova vetë.

Dhe e bëra hap pas hapi, në udhëtimin e shtrirë në të gjithë Vietnamin nga Veriu në Jug; nga Hanoi - Danang - Ho Chi Minh. Distanca e Vietnamit nga Veriu në Jug është rreth 1650 km, ku trenit të famshëm “Reunification Express” do  t’i duhej ta përshkruante rrugën në rreth 30–35 orë.

*Hanoi*

Në Hanoi një aventurë fantastike është përjetimi i kalimit të trenit në mes të qytetit, teksa ti je duke ecur, bërë pazar apo duke pirë një birrë. Ai kalon aq pranë sa duhet të tërheqësh tavolinat derisa të ikë treni! Apo një nga shfaqjet tradicionale vietnameze me kukulla uji - tipike e Vietnamit të veriut.

I gjithë Hanoi është i mbushur me sheshe të gjera, mauzoleume - karakteristike për vendet ish-komuniste, si dhe me tempuj e pagoda. Do të veçoja Tempullin e Letërsisë - Universiteti i parë i Vietnamit, themeluar në shekullin e XI-të, që është spektakolar. Apo tempullin Tran Quoc buzë liqenit të këndshëm Tay Ho.

Hanoi është i zhurmshëm, shumë i vaposur në verë, motorët gumëzhijnë dhe jeta ecën me shpejtësi. Vetë Hanoi duket sikur nuk e ka hijeshinë e të qenit kryeqytet i vendit, më shumë ngjan me një qendër province. 

Rreth 150 km larg Hanoit ndodhet gjiri Halong, ku një udhëtim me kroçerë përmes ishujve të shumtë shkëmborë-gëlqerorë, (rreth 1600-1900 ishuj); të bësh plazh në ndonjë nga ato ishuj apo udhëtim me barkat e bambusë nëpër shpella e midis ishujve, është e barabartë sikur të kesh shkuar në parajsë. Pranë Hanoit rreth 100 km larg është Ninh Binh me tempuj, pagoda të famshme. Një aventurë në Ninh Binh konsiderohet udhëtimi me varkë në Tam Coc, ku të duket se je në një tjetër botë.

*Danang*

Udhëtimi në Vietnam nuk quhet i plotë nëse ke parë vetëm Hanoin. Për një orë me avion, menjëherë mbërrin në Danang. Nëse dikush, dikur do të më pyeste nëse do të dëshiroja të jetoja diku në Vietnam, padyshim ky vendi do të quhej Danang. Si qytet nuk ka të krahasuar! I qetë, luksoz, me shije, shumë më i bukur në krahasim me Hanoin. Në Danang, pallatet e larta përgjatë rrugës kryesore të shpien me mendime sikur je në Honolulu, apo Copacabana në Brazil. Me hotele dhe ndërtesa të larta anës rrugës në krah të detit, vetëm dy hapa larg shtrihen lokalet e shumta, beach-baret dhe jeta plot muzikë e gjallëri e zakonshme e vendeve të plazhit. Gadishulli Son Tra (Monkey Mountain), Pagoda Linh Ung, statuja Lady Buddha, apo fshati Non Nouc në këmbët e Marble Montains me pagodat surprizë nëpër shpella edhe pasi ngjitesh 150 shkallë, apo mrekullia me emrin Hoi An, qyteza magjike e fenerëve ku natën është një atmosferë gati surreale: në lumin Thu Bon që kalon në mes të qytetit, lëvizin qindra barka me fenerë që lëshojnë drita shumëngjyrëshe dhe vezullime marramendëse. Kurse anash lumit ngrihen dyqanet dhe lokalet që tregtojnë fenerët që presin si gojë të hapura dikë që të vijë t’i hedhë në lumë.

Por pjesa më spektakolare e qytetit Danang nuk mbaron këtu: është Bana Hills, ku me teleferik ngjitesh në majën 1487 metra mbi nivelin e detit. E gjithë zona që shpaloset para syve sapo mbërrin në Bana Hills është një surprizë e vërtetë! Që nga “qyteti i birrës” ku përveçse birrës lokalet organizojnë kërcime me të rinj të veshur si në OctoberFest në Gjermani, kantina e lashtë e verës “Debay”, - sigurisht për të gjithë qejflinjtë e verës me plot surpriza, “Le Jardin d’amour” - kopshti i trëndafilave, statuja e Budës, “Wax Museum”, e më tej një qytet surreal i mrekullueshëm si në filma, por edhe “Fantasy Park” me parqe lojërash rrethuar nga male me statuja, kështjella mbretërore, çudira të tjera të pafundme në të gjitha krahët. Pasi merr një tjetër teleferik, të shpaloset ura e famshme “Golden Bridge”, e cila duket sikur mbahet në dy duar gjigante; është urë e re, e ndërtuar vetëm në 2017, për të parë e shijuar njerëzit, malin dhe pamjet spektakolare përreth. 

*Ho Chi Minh* 

Përsëri nuk ke parë asgjë nga Vietnami nëse nuk prek, shkel, shijon, përjeton Ho Chi Minh apo siç ka pas qenë quajtur: Saigon, për nder të lumit me të njëjtin emër që kalon mespërmes qytetit. 

Qyteti është metropol, është modern, duket që amerikanët kanë lënë gjurmë në çdo aspekt të jetës së qytetit, që nga ndërtimet e larta deri në stilin e lokaleve, jetesës. 

Në Saigon është me interes të përshkruhet delta e lumit Mekong. Aty, me varka të vogla, kalohet nëpër kanale. Vendasit ngasin varkat, kanali mbushet plot me varka që vejnë e vijnë; momentet janë të paharrueshme. Në fund të këtij udhëtimi kaq interesant, varkëtarët të kërkojnë t’ju japësh një dollar amerikan. Thuhet që ka njerëz ndër ta që e kalojnë gjithë jetën në varkë, as shtëpi nuk kanë, por të tëra proceset jetësore i kryejnë në barkën e vogël. 

Në këtë zonë ndodhet edhe ishulli i “coconutsave” - arrave të kokosit ku vizitorët shohin gjithë proceset që si nga fruti i arrës së kokosit përpunohet e del më pas në produkte ushqimore: karamele, kremra, vaj, etj.

Dhe ajo çka nuk mund të të shqitet nga mendja në Saigon, është udhëtimi në Cu Chi Tunnels, një rrjet i jashtëzakonshëm tunelesh nëntokësore me gjatësi rreth 250 kilometrash, në distancë 40-50 km larg Ho Chi Minhit. Aty u strehuan dhjetëra- mijëra vietnamezët gjatë luftës kundër amerikanëve: nga viti 1960 deri në 1975 kanë strehuar 20 mijë vietnamezë të cilët aty jetonin, hanin, pinin, dashuroheshin, madje kishin lindur edhe fëmijë. Sistemi i tuneleve ishte i jashtëzakonshëm. Në një sipërfaqe çfarëdo ku nuk dukej asgjë, midis gjetheve të rëna nga pemët, një kapak në përmasa rreth (50x50cm) ishte hyrja. Mos pandehni se ato ishin tunele luksoze si korridore siç jemi mësuar të shohim nëpër vendstrehime. Pra të futeshe në ato tunele të ngushta sa për të zënë një njeri trupvogël - vietnamez - as më shumë e as më pak të gjera. Rrugëzat e tilla të ngushta nëntokë mbaronin në hapësira më të gjera që shërbenin si dhoma, kapanone, kuzhina, spitale, etj. Për furnizim me ajër përdornin trungje bambuje (me vrimë në mes), dhe për nevoja personale hapnin gropa të tjera nëntokë. Tunelet kishin një hartë dhe madje kishin dalje në lumë-dalje të cilat shpesh i trulloste amerikanët pasi nuk e merrnin vesh nga ju vinte armiku. Dhe armiku në fakt në këtë rast ishte shumë i zgjuar. Edhe te sandalet kishin përdorur strategji: të ngushta në majë e të gjera në themra-që kur njeriu ecte dukej sikur ikte në drejtim të kundërt nga ç’lëvizte në të vërtetë. 

Një darkë në një anije që bën xhiron nëpër lumin Saigon, nën ritmin e këngëve dhe kërcimeve tradicionale vietnameze, me ushqimin fantastik vietnamez është mbyllja ideale e udhëtimit në Vietnam.

Vietnami mund të konsiderohet pa dyshim një nga destinacionet më unike në botë.

Eda Bano, maj-qershor 2026