
Pep Guardiola nuk do të jetë trajneri i ardhshëm i Kombëtares së Italisë. Edhe pse drejtuesit e projektit të ri sportiv kishin shpresuar ta bindnin teknikun spanjoll të merrte drejtimin e “Axurrëve”, ai vendosi të mos e pranonte ofertën.
Sipas raportimeve, përgjigjja e Guardiolës mbërriti gjatë natës përmes një mesazhi, ku ai bëri të ditur se nuk ndihej gati për të nisur një aventurë të re profesionale. Vendimi nuk lidhet me aspektin financiar, por me dëshirën për t’u shkëputur për një periudhë nga futbolli pas shumë vitesh në nivelet më të larta.
Pas përfundimit të ciklit të tij të suksesshëm te Manchester City, Guardiola synon t’i kushtojë më shumë kohë vetes dhe familjes, duke shtyrë çdo vendim për të ardhmen derisa të ndihet plotësisht i motivuar për t’u rikthyer në pankinë.
Federata italiane kishte menduar për të si figurën ideale për të udhëhequr një projekt afatgjatë, që synon rikthimin e Italisë mes elitës së futbollit botëror pas zhgënjimeve të viteve të fundit. Ideja ishte që Guardiola të mos ishte vetëm trajner i kombëtares, por edhe arkitekti i një filozofie të re futbolli.
Megjithatë, tekniku katalanas vlerësoi se nuk do të ishte në gjendje t’i përkushtohej këtij misioni me energjinë që kërkon një sfidë e tillë, ndaj preferoi të mos krijonte pritshmëri që nuk mund t’i përmbushte.
Edhe pse u përfol se paga mund të ishte pengesë, burime pranë negociatave theksojnë se financat nuk ndikuan në vendimin e tij. Federata ishte e gatshme të bënte një investim të madh për ta bindur.
Pas refuzimit të Guardiolës, drejtuesit italianë kanë nisur të shqyrtojnë alternativat. Emri që kryeson listën është ai i Andrea Pirlos, ndërsa në garë mbeten edhe Roberto Mancini dhe Antonio Conte.
Pirlo shihet si kandidati që mund të nisë një cikël të ri për kombëtaren falë profilit të tij dhe filozofisë së lojës, edhe pse eksperienca e tij si trajner mbetet ende e kufizuar për një detyrë kaq të rëndësishme.
