KreuBusull

“La Pausa”, vila ku Coco Chanel gjeti frymëzim dhe qetësi larg Parisit

“La Pausa”, vila ku Coco Chanel gjeti frymëzim dhe qetësi
Larg zhurmës së Parisit dhe botës së modës, Coco Chanel krijoi një vendstrehim që pasqyronte plotësisht shijen dhe historinë e saj personale. Në vitin 1928, stilistja ndërtoi vilën “La Pausa” në Roquebrune-Cap-Martin, përgjatë Rivierës Franceze, duke e kthyer atë në rezidencën e saj të preferuar për pushime.

Arkitektura e vilës nuk ishte rastësore. Chanel u frymëzua nga manastiri i Aubazine, ku kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë, duke sjellë në projekt elemente që lidhnin të kaluarën e saj me stilin elegant dhe minimalist që e karakterizonte.

Pas viteve 1950, prona kaloi në duart e botuesit Emery Reves dhe u shndërrua në një vendtakim për personalitete të njohura ndërkombëtare. Ndër miqtë që e vizitonin shpesh ishte edhe ish-kryeministri britanik Winston Churchill.

Sot, Chanel e ka rikthyer vilën në pronësinë e saj dhe po investon në restaurimin e saj, me synimin për të ruajtur një nga rezidencat më ikonike të themelueses së markës dhe një pjesë të çmuar të historisë së modës.