
Pak më shumë se një dekadë më parë, Luis de la Fuente ishte pa punë. Sot, ai është trajneri që e ka rikthyer Spanjën në majën e futbollit botëror, duke shkruar një nga historitë më frymëzuese të sportit.
Vetë tekniku spanjoll ka kujtuar fillimet e tij të vështira. Trembëdhjetë vite më parë, ndërsa ishte i papunë, ai pa një njoftim të thjeshtë në gazetë ku Federata Spanjolle e Futbollit kërkonte një trajner për ekipet e moshave.
De la Fuente vendosi të aplikonte dhe u përzgjodh, pa e imagjinuar se ai vendim do t’i ndryshonte rrënjësisht jetën dhe karrierën.
Pas suksesit të fundit me kombëtaren spanjolle, trajneri u shpreh i emocionuar për rrugëtimin e tij dhe të skuadrës.
“Jam shumë i prekur. Këta lojtarë janë të jashtëzakonshëm dhe më bëjnë jashtëzakonisht krenar. Kemi rikthyer shpirtin e vitit 2010. Kush do ta kishte menduar se 13 vite më parë, kur isha i papunë, do të ndodhesha sot këtu?”, tha ai.
Historia e Luis de la Fuente është një kujtesë se ndonjëherë një mundësi e vetme mund të ndryshojë tërësisht rrjedhën e jetës.
