KreuCelebrity

Krim mbarëbotëror: vjedhja e fëmijëve!

Krim mbarëbotëror: vjedhja e fëmijëve!

Gjermania naziste, ish-Republika Demokratike Gjermane, Argjentina apo Rusia - diktaturat dhe regjimet autoritare i përdorin fëmijët si armë. Për këtë temë është hapur një ekspozitë në Berlin. Leonardo Fossati Ortega erdhi nga Argjentina në Berlin për të treguar historinë e tij në Bundestagun gjerman. Historia e një fëmije të rrëmbyer. Fati i tij dhe i shumë të tjerëve mund të shihet në një ekspozitë në Bashkinë e Berlinit deri në fund të nëntorit 2023.

"Kisha gjithmonë dyshime për identitetin tim"

Leonardo u rrit tek njerëz të huaj."Gjithmonë kisha dyshime për identitetin tim, sepse prindërit e mi ishin më shumë si gjyshër në krahasim me prindërit e shokëve të mi. Po ashtu nuk gjeja ndonjë ngjashmëri në fizionomi." Vetëm kur u bë 20 vjeç, i riu guxoi të pyeste ata që e rritën. "Dhe ata më thanë të vërtetën”, thote ai per DW.  Ata i treguan se një mami fqinje u kishte thënë, se ai ishte fëmija i braktisur i një gruaje të re nga La Plata, e cila nuk donte ta mbante fëmijën e saj. Leonardo u përpoq ta gjente maminë, më kot. Këshillën vendimtare në kërkimin e rrënjëve të tij të vërteta ia dha një shoqe e shkollës së dramës në Buenos Aires. Ajo e këshilloi që t'u drejtohej një herë "gjysheve të Plaza de Mayo".

Shumë fëmijë të vjedhur kërkojnë ende prindërit e tyre

Leonardon e ngushëllon fakti që tani e di të vërtetën: "Për herë të parë shoh ngjashmërinë me njerëzit e tjerë, familjen time". Rreth 130 nga rreth 500 fëmijët e vjedhur gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë kanë pasur përvoja të ngjashme. Fatet e tjera janë ende të paqarta dhe shumë ndoshta do të mbeten të tillë.

Fëmijë të rrëmbyer dhe të lindur në burg

Ky grup grash të guximshme u themelua gjatë diktaturës ushtarake dhe kërkonte informacion nga pushtetarët për vendndodhjen e fëmijëve të tyre, si dhe të nipave të rrëmbyer ose të lindur në burg. Pas fundit të diktaturës, "Gjyshet e Plaza de Mayo" me anë të mostrave të gjakut iniciuan një bazë të dhënash gjenetike. Kështu Leonardo mundi të zgjidhte misterin e identitetit të tij të vërtetë: "Familja ime biologjike, gjaku i së cilës ruhej në bazën e të dhënave, më kërkonte prej gati 28 vjetësh”. Në moshë të rritur Leonardo takoi gjyshërit e tij. Në ekspozitën e Berlinit është një foto e babait të tij biologjik, nga nëna as fotografi nuk ka. Megjithatë Leonardo nuk dëshiron të heqë dorë nga shpresa dhe e sheh veten si pjesë e një komuniteti me një fat të përbashkët: "Është shumë e rëndësishme për ne, që të vazhdojmë kërkimin, të bëjmë miq të rinj dhe të ndërtojmë ura", thotë 46-vjeçari.

Fëmijët e rrëmbyer nga Rusia në Ukrainë

"Ndarja e dhunshme e prindërve dhe fëmijëve nuk është një kapitull i së shkuarës", lexohet në ekspozitë. "Që nga pushtimi rus i Ukrainës mijëra fëmijë janë rrëmbyer nga Ukraina lindore dhe janë dërguar në Rusi. Autoritetet kineze deportojnë fëmijët ujgurë në kampet e riedukimit dhe organizatat terroriste si Boko Haram rrëmbejnë kryesisht vajza në Nigeri."

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF