KreuCelebrity

30 mijë euro për të vrarë Liridonën, vrasësi rrëfehet në polici: Ia dha i shoqi i saj!

30 mijë euro për të vrarë Liridonën, vrasësi

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e Liridona Murselit një ditë më parë në Prishtinë, ndërsa udhëtonte me familjen. Fillimisht u tha se nëna e dy fëmijëve u vra gjatë një grabitjeje, por pas rrëfimit të autorit, ngjaja mori një tjetër kthesë. “Autori thotë se u pagua nga Naim Murseli për t`i marrë jetën Liridonës”, shkruajnë mediat në Kosovë, duke shtuar se 33-vjeçari Naim Murseli dyshohet se e pagoi 30 mijë euro bashkëfshatarin e tij për të kryer vrasjen.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprime intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy zona në Gjakovë“, tha në një reagim zyrtar policia e Kosovës. Nga kjo e fundit nuk ka shumë detaje ende, ndaj mbetet për t’u parë se cilat janë provat që i çuan hetuesit tek dy autorët e dyshuar.

Besohet se policia ka mundur të sigurojë pamjet kur dy autorët e dyshuar takohen para krimit. Edhe komunikimi i fundit në telefon i Murselit rezulton të jetë pikërisht me personin e pajtuar prej tij. Për arrestimin e dy personave në fjalë reagoi edhe prokuroria e Prishtinës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat Granit Plava (dorasi) dhe Naim Murseli (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.

 Naim Murselit ndërkohë qe shfaqur i pikëlluar në varrimin e 30-vjeçares. Ndërsa babai i tij, Shaban Murseli, në një prononcim për gazetarët që ishin të pranishëm në varrimin e 30-vjeçares, mes të tjerash tregonte versionin që siç duket i kishte dhënë i biri, ndërsa hidhte poshtë çdo aludim se mund të ishte pikërisht Naimi, porositësi i vrasjes.

“Jetojmë prej 32 vitesh në Suedi dhe nuk kemi informata të sakta, ka manipulime, thashetheme, por versioni më i saktë është që (Liridona) ka rezistuar me dorëzuar çantë e krahut. Aty ka pasur një shumë të konsiderueshme të hollash, sepse ata patën blerë shtëpi në Prishtinë dhe po e rregullonin për të hyrë në shtëpi të re. Si ka ndodhur nuk e di. Shuma ka qenë mbi 3 mijë euro dhe ia kanë plaçkitur të gjitha, telefona, çfare ka pasur. Versioni i tij (Naimit) është i ka nxjerrë fëmijët nga makina dhe i ka thënë në gjuhën suedeze, i paska thënë ikni. Por mesa duket është ngatërruar pak edhe me rripin e sigurimit. (Naimin) Tani e takova në varrim se sot kemi ardhur në mëngjes ende nuk kam biseduar me të. Është e tmerrshme të manipulohet me kështu gjërash. Unë e di sa e ka dashur Naimi Liridonën”. Momentalisht nuk është e qartë se cili është shkaku i këtij krimi që tronditi mbarë opinionin publik. Çifti mësohet se kishin 12 vite të martuar. Vetë Liridona në profilin e saj në Instagram, shkruante: “Familja është gjithçka”.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF