Nga Ilda Lumani
Torta RTSH ka rënë në duart e gabuara! Këtë herë drejtohet nga një grua, e cila është pa ‘background’ të pisët, siç kemi parë ndër vite e vite. RTSH drejtohet (e para herë në mos gaboj nga një grua), nga Aurora Polo, e cila nuk ngjan me modelet abuzuese të shumë grave, që shohim kaq rëndom në institucionet shqiptare. Kjo gjendje e një njeriu të drejtë, profesionist, që rrugën e karrierës e ka ndërtuar hap pas hapi, pa u njollosur në realitetin shqiptar, në krye të RTSH-së ka shqetësuar shumë…
1. Aurora Polo drejtoi Festivalin ne RTSH duke e ngritur në pikun më të lartë të cilësisë!
2. Aurora Polo pas mbi 2 dekada, që Shqiperia merr pjesë në Eurosong, dërgon në këtë Festival një kënge fituese, “Zjarm” nga “Shkodra Elektronike”, e cila nuk u shit e as nuk u ble! Hera e parë ndodh, pas kaq festivalesh, që çmimi i parë, nuk kontestohet nga publiku, nuk komentohet si i paravendosur, përqafohet nga juria, votuesit dhe spektatorët në sallë ngrihen në këmbë dhe e përshëndesin me brohoritma!
3. Aurora Polo, që në momentin që është emëruar drejtoreshë e Komanduar e RTSH-së ju ka hapur dyert të gjithë stafit, për të dëgjuar dhe zgjidhur çdo problematike pune.
4. Aurora Polo ka sjellë një standard të panjohur deri më tani në RTSH! Ju ka dhënë dinjitetin gazetarëve!
5. Aurora Polo i ka hapur derën çdo ideje, të çdo gazetari apo autori, për të bërë një ekran më të fresket, më të prekshëm, më cilësor, më afër audiencës, në shërbim të audiencës, dhe jo të individit, dhe interesit të tij të vogël!
6. Aurora Polo ka promovuar dhe po promovon emisionet vlerë, duke ju dhënë oraret e merituara, promovon figurat që kanë ndërtuar ekranin historik, dhe çdo ditë po punon për këtë qëllim!
7. Aurora Polo ka bërë edhe diçka, që nuk është përqafuar nga disa. Ju ka mbyllur derën çdo abuzuesi! Shënim i gjatë: Një shënim i gjatë, si nevojë për të të thënë, çdo gjë që nuk thuhet shkurt. Natyrshëm që pozicioni i drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, të marrë këtë vëmendje, por fare panatyrshëm dhe shumë e pisët është mënyra si atakohet një person. Në Shqipëri sot fatkeqësisht në rang institucional mund të numërohen me gishtat e njërës dorë imazhet e grave drejtuese pa njollë e të suksesshme individualisht.
Në krye të RTSH në dijeninë time vetëm burra e kanë drejtuar atë institucion. Prej 21 vitesh që jam gazetare kontaktet me RTSH i kam patur në fare pak raste, thjesht PR Festivali, kur këto Festivale janë drejtuar nga staf i Jashtëm nga RTSH; Inva Mula, Pandi Laço. Ndër këto vite kam parë e vëzhguar, dëgjuar dhe jetuar sesi ky institucion është parë nga të gjithë si vendi, ku mund të bëjnë ca para… Dhe kanë bërë mjaft. Ndaj, si një njeri jo se kam frikë nga paraja apo nuk e dua, por që idealizmi për median vijon të jetë motoja e punës sime, por dhe si një njeri, që zgjodha të mos jem e varur nga të tjerët në karrierën time, prej 10 vitesh kam krijuar revistën BORDO, të cilën edhe drejtoj.
Një revistë, që ecën në kah të kundërt të modelit të shoqërisë shqiptare, por që është përfaqësuesja më e denjë e artit, kulturës, stilit të jetesës dhe modës sot. Paralelisht me përmbajtjen, cilësinë, ofrimin e një numri cilësor çdo muaj, punoj dhe për pjesën e marketingut. Çdo njeri, që punon në privat më kupton shumë mirë. Dhe që prej ditës së parë e edhe sot kjo revistë arrin të jetojë dhe mbuloj shpenzimet dhe rrogat e stafit me të ardhurat e veta. Kjo lloj sigurie, stabiliteti që unë kam me BORDO, revistë, ëeb, kanal në YouTube si dhe rrjete sociale, më ka dhënë luksin, që ndër ofertat televizive që më vijnë paralele të jem përzgjedhëse dhe të mos trokas në derën e askujt.
Prej 2019-ës jam aktive në Televizion, si autore dhe skenariste, nga Top Channel (me Top Talent), në Klan (me disa sezone; nga LOVE STORY, Në kurthin e Piter Pan, Dance Albania, X Factor Albania). Në fund të nëntorit të vitit që shkoi më erdhi një ftesë nga drejtuesja e RTSH-së, e cila më njihte vetëm profesionalisht, me të nuk kam asnjë njohje të hershme, nuk kam pirë kurrë një kafe, m’u propozua autorësia e një program pasditeje. Dhe prej janarit “Miqtë e Pasdites” transmetohet çdo ditë në RTSH1. Sigurisht që jam e lumtur.
Hera e parë, që RTSH hap derën dhe njerëzit hyjnë nga dera e jo nga dritarja, as nga kafja, apo nga xhepat e njërit apo tjetrit, nga telefoni i njërit pushtetar tek i tjetrit, etj..
Aurora Polo, sfidoi gjithë burrat që ikën pa lavdi, por të pisët deri në qelizë për vendet e para të Festivaleve për vite e vite me radhë. Në finalen e Festivalit, ku shkoj si publik çdo vit në tapetin e kuq mirëpritëse ishte drejtoresha.
E takoj. E përgëzoj dhe këtë moment e memorizoi në një foto. Krenare të ndaj suksesin e çdo gruaje në profilin tim në Instagram. Shembuj të tillë më frymëzojnë. Ashtu si mua, edhe të tjerë si unë.
***
Puna për mua është e para. Mbi korrektesën e saj ndërtoj edhe marrëdhëniet me njerëzit. Dhe në këto dy muaj jam përpjekur të bëj më të mirën time, përfshirë tema koherente dhe personazhe, që rrallë kanë qenë pjesë e paneleve të RTSH, e edhe më të rrallë personazhet që vetë RTSH ka.
Opinioni, që kam gjetur aty për Aurora Polon ka qenë befasues. Askush nuk i do përgjithësisht drejtuesit, ndaj ngjan si çudi, kur dëgjon të vërtetën për një njeri, që pret me buzëqeshje dhe gati për bashkëpunim çdo njeri, që punon në këtë televizion. Javës që shkoi, në RTSH, fare rastësisht shoh një emision të ri, “Mirëqenie”, një tjetër vajze, një tjetër gazetarje i ishte dhënë dora dhe hapësira, për të bërë një ide të sajën në ekran.
Plot gra, që bëjnë emisione i shoh të lumtura, të qetësuara, të relaksuara, të promovuara, të mbështetura, i shoh që kanë marrë rëndësinë që duhet të kenë, kanë marrë oraret që meritojnë dhe programet e tyre nuk janë më në hije. Eh, kanë ikur dhe ca të tjerë. Që për arsye që secili prej tyre i di pse nuk është në më RTSH. Ata e dinë si kanë hyrë dhe pse kanë dalë. Kështu që nuk më takon mua as të bëj gjykatësen dhe as avokaten e tyre.
Sot në 16 kanalet e RTSH-së jepen 60 emisione, dhe sigurisht që RTSH ende nuk është ajo që pretendohet, por jam e bindur se klima, që RTSH ka sot nuk e ka patur kurrë.
Jam e bindur, se çfarë Aurora po ndërton është një bazë e rrallë për atë televizion! Sa më përket mua unë e mbaroj kontratën me RTSH në korrik. Dhe nëse në shumë raste përdor shprehjen e Çajupit te “Sulltani”, ‘pas meje në këtë jetë,/ gur mbi gur mos mbefte’, këtë herë shpresoj për të kundërtën, me ose pa mua RTSH uroj të vijoj ta ketë dinjitetin nën drejtimin e Aurora Polos.

Ljubjana, zemra e gjelbër e Evropës


6 libra të rinj, sugjeruar nga Bordo!














Reagon Egli Tako pas daljes nga BBV!


