
Burak Özçivit, një nga aktorët më të njohur të Turqisë dhe i dashur për publikun shqiptar falë roleve të tij në serialet me sukses ndërkombëtar, duket se po zgjeron praninë e tij edhe jashtë botës së televizionit. Emri i tij është lidhur së fundmi me një investim të rëndësishëm që pritet të zhvillohet në Vlorë.
Në mbledhjen e zhvilluar më 30 qershor, Këshilli i Ministrave miratoi kalimin në përdorim të 88.5 hektarëve tokë shtetërore në Vlorë për kompaninë “RAMS Albania”. Sipërfaqja do të shërbejë për realizimin e projektit strategjik “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, i cili parashikon ngritjen e një zone të lirë ekonomike.
“RAMS Albania” është pjesë e grupit ndërkombëtar “RAMS Global”, korporatë e drejtuar nga biznesmeni Mehmet Faruk Burbul, me aktivitet në disa vende. Ajo që ka tërhequr vëmendjen është fakti se, që prej marsit 2025, Burak Özçivit është prezantuar si ambasador i markës dhe partner i “RAMS Global” në projekte të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë investime në Kazakistan dhe Irak.
Lidhja e aktorit me Vlorën nuk është e re. Gjatë verës së vitit 2025 ai vizitoi qytetin bregdetar, ku u prit me entuziazëm nga fansat dhe zhvilloi edhe një takim me kryebashkiakun e atëhershëm, Ermal Dredha. Në atë kohë, Dredha theksonte se bashkëpunimi synonte promovimin e Vlorës si një destinacion turistik.
Pas zhvillimeve të fundit, vëmendja është rikthyer te kjo vizitë, ndërsa përfshirja e Özçivit si partner i “RAMS Global” ka nxitur diskutime nëse prania e tij në Vlorë lidhej jo vetëm me pushimet dhe promovimin e qytetit, por edhe me projektet që kompania po zhvillon në Shqipëri.
