Biznesmeni Samir Mane ka qenë i ftuar në programin “Opinion” në televizionin Klan dhe ndër të tjera ka folur rreth renditjes në listën e miliarderëve të botës nga revista “Forbes”. Ai tregoi se telefonatën e parë për t’i dhënë lajmin ishte familja e tij, e veçanërisht i biri Martini. Telefonata e dytë ishte stafi i kompanive të tij, ndërsa telefonata e tretë ishte me një person në Austri.
“Personi i parë ishte familja, nga ata Martini padyshim. Mora natyrisht përgëzimet e tyre të mëdha për faktin që më kanë ndihmuar maksimalisht të arrij këtu ku jam. Më uruan plot persona të tjerë, telefonata e dytë ishte me stafin dhe telefonata e tretë ishte me një njeri që më ka ndihmuar atëherë kur unë nuk kisha para në Austri”, tha ai.
“I huaj, të cilit i thashë të falënderoj që dikur më ke dhënë televizorë pa lekë, ke krijuar besimin që m’i dhe pa lekë dhe unë t’i shes në Shqipëri, dhe tani unë jam këtu ku jam. Kjo ishte në fillim të viteve ’90-’91 kur unë blija 10 televizorë, ai më thoshte merr 20 dhe m’i sill lekët
Me besim, mund t’i kisha marrë ato lekë, por po t’i kisha marrë ndoshta s’do isha dhe këtu. Pastaj kur blija 100 më thoshte merr dhe 200 të tjera shiti, pastaj kur merrja 1000 thoshte merr dhe 2000 të tjera shiti. Dhe unë gjithmonë ia ktheja. Atë njeri e falënderova. Me mua është treguar shumë korrekt dhe i mbaj akoma marrëdhëniet”, tregoi ai.