KreuStil Jetese

Nga Eda Bano: Relaks në Merano

Nga Eda Bano: Relaks në Merano

U dashurova me këtë vend, që kur dëgjova për herë të parë për të, fare rastësisht, nga një djalë i ri i fisit. Ai po thoshte thjesht se në çfarë vendi të bukur ishte njohur me të fejuarën e tij. I thashë, “Të shtunën tjetër do të shkoj aty”. Besoj që nuk e besoi, por nuk tha gjë.

Nga Eda Bano: Relaks në Merano

Një javë më vonë, mora avionin për në Veriun e Italisë. Fluturimi ishte një sfidë më vete. Teksa avioni po nisej, sapo u bë gati të ngrihej në qiell, befas pati një shuarje të motorëve.
Pilotët vendosën të ktheheshin e të kontrollohej avioni nga inxhinierët dhe pasagjerët, ndërkohë duhej të prisnin ulur nëpër sedilje. Por njerëzit i kapi paniku. Një e nga një ata po kërkonin të linin avionin. Ndërkohë që inxhinieret kishin dhënë miratimin e nisjes, kjo gjë nuk po ndodhte për shkak të procedurave të largimit të personave që iknin. Një burrë teksa largohej, bashkoi dy duart në formë lutjeje e na tha, “Zoti ju bekoftë!”. Dhe Zoti na bekoi atë udhëtim!

Nga Eda Bano: Relaks në Merano
Me të mbërritur në Itali, morëm makinën me qira që kishim prenotuar e u nisëm për Merano Trentino Alto Adige!
Rruga deri aty ishte një mrekulli! Duke kaluar mes maleve të larta, që binin thikë mbi rrugë, nga shirat e pranverës, ishin krijuar me dhjetëra ujëvara të vrullshme ca të larta, të gjata e të holla, e ca të trasha si lumenj.
Natën mbërritëm në qytetin e vogël malor e piktoresk. Në qendër të tij shkëlqente e vezullonte hoteli i bukur, drejt të cilit gati vrapova ta zija. Në sportel rrinte një burrë i ri me flokë të thinjur në tëmtha, një tip i hapur e i qeshur dhe që mesa konstatova më vonë, shumë i zgjuar. “Faleminderit”, tha kur po kryenim pagesën. E pyeta, a është vend i bukur ky, aq sa reklamohet? “Njëjtë me Triesten, tha ai. “Vend austriakësh.” (Në dokumentet tona lexon rezidenca “Trieste”…) Sytë e zinj i shkëlqenin dhe jo vetëm aq. Ishte një vrojtues i hollë.

Nga Eda Bano: Relaks në Merano
Si zakonisht, pyeta se ku mund të darkonim. Ai tha që më tutje ishte një lokal me kuzhinë “albaneze“. “Oh”, ia ktheva, “Ne nga kuzhina albaneze, sapo kemi ardhur e të siguroj që nënat dhe mamat tona aty, na bëjnë gatime shumë të mira. Por, a na sugjeroni ju diçka më tipike, më vendase dhe tradicionale?”
Sigurisht që ai i kishte përgjigjet në majë të gjuhës, për çdo gjë. Pasi na pajisi me bileta për transportin publik, për çdo ditë që do të rrinim aty (madje edhe për trenat), si edhe kartat për të hyrë në banjat termale të famshme të qytetit dhe që s’duhen kurrsesi të neglizhohen, na mësoi edhe sesi të hynim në hotel pas mesnatës, kur s’do ishte hapur recepsioni.

Nga Eda Bano: Relaks në Merano
Ditët që pasuan në Merano, shënuan një relaks të vërtetë. E meqë ra fjala të “relaksi“, këtu, në këtë qytet pranë maleve të Austrisë, ndodhet “Tappeiner Promande”, shëtitorja më e vjetër e SPA-së në Evropë, ose e quajtur ndryshe “shëtitorja e dimrit “, e krijuar enkas për relaks dhe qetësi në çdo stinë. Qyteti i vjetër shquhet edhe për “Portici i Meranos”, që me dyqanet e tij moderne, daton në shekullin e 13-të. E njëjta gjë vlen edhe për “Powder Tower”, tarraca e vrojtimit të së cilës mund të arrihet përmes Tappeiner Promande, pra pas një ecje përgjatë lumit, mbërrin në “Kullën e pudrës“.
Por gjeja më e bukur që Merano ka, janë kopshtet botanike të Trauttmansdorff, si edhe kështjella mbi to me të njëjtin emër. Për të vajtur te kopshtet, të cilat mund të cilësohen për disa si “më të bukurit që kanë parë ndonjëherë“, mundet të shkohet me autobus dhe madje shoferi i autobusit është aq miqësor, sa të bën edhe foto.
Por atraksionet dhe qejfet në Merano, nuk mbarojnë këtu!

Nga Eda Bano: Relaks në Merano
Nuk mund të ikësh nga qyteti, pa provuar banjat termale! Një ndërtim unik e modern, me shumë vaska pishinash e hidromasazhesh të ndryshme, si brenda të ndërthurur me pishina e SPA jashtë në natyrë me ujëra termale, në temperatura të ndryshme, që variojnë dhe që jashtë lexohet qartazi nxehtësia e tyre nga avujt që nxjerrin, mund të them pa frikë që SPA-ja është gjeja më e bukur që ti bën në mes maleve me borë, teksa jashtë temperaturat janë dimërore dhe brenda uji është 37-40 gradë Celsius, e përpos kësaj edhe masazhet vibruese që të bëjnë të relaksohesh plotësisht.

Nga Eda Bano: Relaks në Merano

Rregulli i SPA-së aty është që nuk lejohen kamerat dhe celularët dhe është shumë argëtuese tek sheh çifte, që i kushtohen tërësisht njëri-tjetrit apo pushuesit që kridhen në ujë, lahen, krijojnë miqësia, shihen, njihen, respektohen, dhe askush nuk sheh asnjë ekran.

Nga Eda Bano: Relaks në Merano
Pas një dite saune, do të doje sërish e sërish ta përsërisje atë, por një vizitë në malet përreth, Tyrol, Innsbruck, dhe kthimi mbrapsht në Bolzano, është ajo që duhet të bësh.

Nga Eda Bano: Relaks në Merano
Merano, ky qytet i vogël e piktoresk zhytur mes maleve alpine, mund të quhet një destinacion i shkëlqyer për fundjavë kur prioritet, i ke vendosur relaksit dhe qetësisë.

Mars 2024

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF