Sopranoja e njohur Ermonela Jaho është shpallur fituese e çmimit të votuesve nga International Opera Awards. Ajo u shpall fituese nga grumbullimi i votave nga e gjithë bota.
Lajmi për shpalljen e fitueses është publikuar në faqjen zyrtare të International Opera Awards në Twitter, ku thuhet se fituesja e çmimit të publikut është e mrekullueshmja, Ermonela Jaho.
Më pas ka qenë vetë vëllai i artistes, Fatos Jaho që e ka ndarë lajmin me ndjekësit e tij në facebook.
“E mori. Ermonela Jaho! Më e mira në të gjithë botën. Sapo iu dha çmimi nga International Opera Awards. Më në fund një shqiptare fiton Oscar-in e Operas. Gëzoni me mua njerëz”, ka shkruar vëllai i sopranos në facebook. Ermonela Jaho ishte në garë me emra të mëdhenj të artit rus dhe latin, por ajo ia ka dalë të triumfojë duke rrëmbyer këtë çmim.
Lajmi për nominimin e Ermonela Jaho është bërë fillimisht i ditur nga Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB), Ilir Kerni, dhe pas kësaj kanë qenë të shumtë shqiptarët që i kanë ofruar mbështetjen sopranos. Edhe sot rrjetet sociale janë mbushur plot me urime të ngrohta për artisten.
Edhe BORDO i bashkohet urimeve për sopranon e talentuar, Ermonela Jaho!



















