Jo, nuk keni pse habiteni. Vajza si Bebe Rexha, Rita Ora apo Dua Lipa tashmë bëjnë jetën tipike të yjeve. Dhe kështu, nëse shumica prej nesh nuk e kanë fatin të takojnë dikë të famshëm sapo shkelim në palestër, Rexha jo vetëm që karakterizohet nga një luks i tillë, por për të është krejt normale që një aktor si Stallone ta këshillojë dhe të mbajë një fjalim vetëm për të!
“Rreth një muaj më parë, shkova në palestër dhe sinqerisht dëshiroja të hiqja dorë nga biznesi i muzikës, pasi nuk po arrija asgjë dhe ndihesha vërtetë e dëshpëruar. Ky burrë ishte aty atë ditë dhe më mbajti fjalimin më të mirë që mund të mbante dhe sot, ishte përsëri në të njejtin ambient, për të më kujtuar se nuk është sprint, por maratonë. Gjërat mund të ndryshojnë sa hap e mbyll sytë. Të dua, Stallone”, ka shkruar Rexha, ndërsa shihet në video së bashku me aktorin hollivudian.
Stallone dëgjohet teksa thotë për Beben se si ajo kishte qenë krejt pa shpresë një muaj më parë, ndërsa ylli i “Rocky Balboa” e kishte këshilluar se nëse çdo gjë shkonte keq, mund të shkonte edhe më mirë. “Dhe tani, ja ku je”, ka thënë Stallone, ndërsa Rexha ka bërtitur nga gëzimi. Këshillë që vlen për të gjithë kjo e aktorit, apo jo?