Largimet më të fundit nga Top Channel kanë bërë bujë mjaftueshëm që fansat e televizionit të bëjnë pyetjen: “Ç’po ndodh me Top-in?” Dhe kjo nuk ka mbetur pa u publikuar edhe në rrjetet sociale, ndërsa këtë herë një nga ndjekësit ka vënë me shpatulla pas muri Ledion Liçon.
“Pse po largohen të gjithë nga Top Channel?”, ka pyetur një nga komentuesit në Instagram, por Ledioni nuk e ka lënë pa një përgjigje. “Ku shkojnë pa mirë që largohen”, ka shkruar moderatori, për të marrë një tjetër replikë: “Ku shkojnë, s’e di. Por di që është mbushur me fëmijë në Top Channel, s’është normale. Mendimi im”. Kjo nuk i ka pëlqyer aspak Liços, i cili ka arritur t’i thotë komentuesit: “Punon në gjendje civile ti?”
Pasi ndjekësi i ka shpjeguar që ky ka qenë thjesht reagimi i tij prej fansi, Ledioni nuk e ka lënë me kaq, duke bërë një deklaratë: “Top-i është si Shqipëria, njerëzit shkojnë nga shkojnë prapë këtu kthehen. Puthje.” Mesa duket, moderatori nuk e ka pritur mirë një vërejtje të tillë, e duhet theksuar që nuk e kemi parë shpesh Ledionin duke replikuar në këtë mënyrë me fansat.



















