Tashmë një personazh i njohur për publikun, Meghan Markle ka një histori të vërtetë Hirusheje, duke u kthyer nga një aktore e thjeshtë, në gruan e ardhshme të princit Harry të Britanisë.
Por bukuroshja Meghan, e cila do të martohet me princin në maj, nuk është Hirushja e vetme që ka pasur këtë fat.
Më poshtë kemi renditur disa prej grave të zakonshme në botë, që u kthyen në princesha të vërteta falë martesave fatlume.
Jepini vetes rëndësinë e duhur zonjusha, dhe të njëjtin fat do të keni edhe ju!
1. Kate Middleton
E hirshmja Kate e takoi princin e saj të kaltër William në vitin 2001, në universitetin St. Andrews në Skoci. Ata nisën të dilnin në vitin 2003, u ndanë për 3 muaj, por u ribashkuan përfundimisht në vitin 2010, kur edhe u fejuan. Para martesës së tyre në vitin 2011, Kate nuk ishte rritur kurrë me norma mbretërore.
2. Diana Spencer
Princesha më e dashur nga bota, Lady Diana Spencer, ishte vetëm 20 vjeç kur u martua me princin Charles. Ajo rridhte nga familja Spencer, një familje fisnike me prejardhje mbretërore, por vetëm martesa me Charles-in e bëri me gjak blu.
3. Grace Kelly
Grace ishte vetëm 26 vjeç kur u tërhoq nga aktrimi, pasi u martua me princin Rainier të Monakos. Ata u takuan në një festival në Kanë, në të cilin Grace gati nuk shkoi. Çifti pati 3 fëmijë.
4. Charlene Wittstock
Charlene ishte një notare Olimpike, përpara se të martohej me princin Albert II të Monakos në vitin 2011. Çifti u takua në vitin 2000 në Monako, dhe dolën publikisht në vitin 2006. Ajo lindi dy binjakë, një djalë dhe një vajzë, në vitin 2014.
5. Mette-Marit Tjessem Hoiby
Mette-Marit u takua me Princin Haakon të Norvergjisë në një festival rock-u. Vite më vonë, kur u takuan sërish, ajo ishte një nënë beqare. Çifti u martua në vitin 2001 dhe kanë edhe dy fëmijë të tjerë.
6. Rania Al-Abdullah
Përpara se të martohej me mbretin Abdullah bin al-Hussein të Jordanisë, Rania punonte në marketing, dhe më vonë në kompaninë “Apple” në Amman. Mbretin e takoi në vitin 1992 në një festë, dhe u martuan në vitin 1993. Kanë katër fëmijë.
7. Letizia Ortiz
Letizia ishte një gazetare përpara se të martohej me princin Felipe VI të Spanjës, dhe kishte qenë e martuar më parë. Ajo është e para qytetare e thjeshtë në Spanjë që arriti të bëhej mbretëreshë.
8. Sofia Hellqvist
Para se të bëhej princeshë e Suedisë, Sofia ishte një modele dhe yll televizioni. Princi Carl Phillip nisi të dilte me të në vitin 2010 dhe u martuan në 2015. Kanë dy fëmijë.



















