Moti i keq që ka pushtuar vendin ka sjellë plot dëme materiale në akset kryesore, si dhe në shumë shtëpi të banorëve kryesisht në zonat rurale. Rrugët e kryeqytetit janë përfshirë nga niveli i lartë i ujit të grumbulluar nga shirat, ashtu sikurse një nga qendra tregtare në autostradë është përmbytur në katin e parë, duke mbajtur të bllokuar plot njerëz deri në mesnatë. Autostrada Tiranë-Durrës ka qenë gjithashtu një ndër pikat e prekura nga moti i keq.
Një situatë e tillë ka irrituar jo pak Gentian Zenelaj, i cili ka bërë një status të gjatë në Facebook lidhur me situatën. Ai ka shpërthyer në një lum akuzash e ofendimesh, duke bërë fajtorë përgjegjësit për investimet e bëra ndër vite. “Sa keq më erdhi për ata njerëz që mbrëmë kanë parë tmerr me sy”, ka shkruar Zenelaj, duke listuar një nga një asryet që sipas tij kanë çuar në një problematikë të madhe si kjo e 48 orëve të fundit.
“Sapo u ktheva nga zona e CityPark. Është si zonë lufte. Vetëm pasi autostrada është çarë me fadroma uji ka ikur”, ka vijuar edhe më tej aktori, ndërsa imazhi i postuar poshtë statusit tregon një pjesë të daljes nga qendra tregtare, mbushur me ujë e mbeturina. Statusin e plotë mund ta lexoni më poshtë.