Këngëtare, aktore, influencuese mode, sipërmarrëse… vëri emrin një profesioni dhe Rihanna e bën, më së miri madje.
Bukuroshja nga Barbadosi adhurohet nga e gjithë bota, por së pari, padyshim, nga vetë shteti i saj.
Qeveria e Barbadosit ka marrë iniciativën t’ia ndryshojë zyrtarisht emrin rrugës Westbury New Road në qarkun St. Michaels, rrugës ku këngëtarja u rrit, në Rihanna Drive. Artistja jetoi në atë rrugë, deri në moshën 16-vjeçare, kur u largua për të ndjekur ëndrrën e muzikës, duke u zbuluar kështu nga Jay-Z.
Edhe familja e saj është larguar, pasi Rihanna i ka blerë mamasë së saj një shtëpi madhështore disa miliona dollarëshe, çelësat e së cilës ia prezantoi bashkë me Oprah Winfrey-n.
Megjithatë, shtëpia e vjetër mbetet ende një atraksion turistik për shumë njerëz.
Do të ketë edhe një ceremoni inaugurimi të rrugës në fjalë, ku pritet të jetë edhe Rihanna, për të lënë madje shenjat e duarve të saj. S’na e merr mendja si mund të ndihet artistja, por nuk ndodh shpesh të ta skalisin emrin në një rrugë qyteti!



















