Ditët e fundit kemi lexuar pothuajse kudo për shqiptaren Anita Latifi, e cila ka kërkuar 250 mijë euro nga futbollisti i Milan, Hakan Calhanoglu, për një arsye delikate. Latifi ka ngritur pretendimet për kërkesën e një shume të tillë në këmbim të heshtjes së saj për abortin e kryer pas ndarjes nga Hakan. Nga ana tjetër, ky i fundit e ka çuar çështjen në gjykatë, duke dorëzuar prova e dëshmi, ku vërtetohet shantazhi telefonik i Anitës kundrejt përfaqësuesve ligjorë të futbollistit.
Deri më tani, gjykata ka dalë në përfundimin se nuk është provuar në asnjë çast që Anita Latifi të ketë mbetur shtatzënë me Calhanoglu-n. Lojtari i Milan nuk e ka mohuar lidhjen me shqiptaren, por nga ana tjetër supozon të kundërtën e asaj çka thotë Latifi, duke e arsyetuar se ai vetë është treguar “i kujdesshëm”. Romanca e shkurtër mes tyre ka ndodhur në kohën kur Hakan ishte pjesë e skuadrës së Hamburgut.
Organet ligjore gjermane pritet të japin një dënim me burg për shqiptaren, e cila nuk është krejt e panjohur për publikun. Ajo ka realizuar disa këngë e klipe, ndërsa tani po përballet me diçka krejt tjetër, për të cilën i cënohet liria. Gjithçka mbetet për t’u parë në vijim.



















