KreuCelebrity

Aurela rrëfen dobësitë dhe sakrificat e sjelljes në jetë të së voglës

Në prag të një vjetorit të vajzës së saj të vogël Abigail, këngëtarja Aurela Gaçe mallëngjen fansat me një postim të gjatë në rrjetet sociale. Mami tregon muajt e vështirë të shtatzanisë në një rrëfim mjaft emocionues që prek çdo nënë. Ajo e nis postimin pikërisht me titullin e këngës së saj.

“Ja po afron 1 vjetori yt….akoma jo

Javët e fundit të shtatëzanisë me ty ishin nga ato të vështirat, ku dukej sikur oksigjeni mezi mbushte mushkëritë, brinjët , kockat, këmbët thernin çdo moment, une rëndohesha çdo ditë e më shumë, stomaku digjej si vullkan nga acidi, në duar, për rreth 5 javë kisha serume me lëngje e ilaçe të ndryshme që më ndihmonin të mos kisha kontraksione sepse ti e bukura ime doje të dilje para kohe e mjekët me urdhëruan të qëndroja regjim shtrati e të duroja sa të mundesha.

Sepse ti duhej të rrije akoma brenda barkut të mamit, mushkërite e tua duhet të rriteshin …duke menduar të gjitha këto, bëja durim…”- shkruan këngëtarja.

Ajo rrëfen se i duhej të qëndronte regjim shtrati absolut për 3 muajt e parë dhe kjo nuk ihste një sakfrificë vetëm për nënën Aurelë, por edhe për motrën e madhe të Abigailit.

“I tregoja se aty brenda barkut të mamit ishte një beb, që shume shpejt do të ishte motër, ose vëlla për të, dhe Zoti e do aq shumë sa po i bënte një dhuratë e ne duhet të kujdeseshim për të.

A e di ti Abigail se edhe motra jote e madhe u kujdes shumë për ty?

Po, ajo duroi që mami të mos e merrte në krahe, të mos luanim bashkë, sepse shumë kohë isha shtrirë, duroi të mos flinte afër mamit… pastaj ajo do të të tregojë ty se si ecte mami javët e fundit kur duhej patjetër të ngrihej nga shtrati do shkrihesh sepse motra jote më imiton fiks” – vijon rrëfimin këngëtarja.

Por Aurela nuk harron as sakrificën e gjyshes në gjithë këtë: “Do të tregojnë dy gjyshet e tua sa shumë jane kujdesur për ty akoma pa ardhur ti në jetë, duke ndenjur natë e ditë afer nesh që asgjë të mos na mungonte”.

Edhe pse në spital Aurela tregon forcën e saj që kurrë nuk e lëshoi veten paçka mes dhimbjeve

“Mami jot nuk e la të kuqin që flakëronte buzët pa e vendosur, se edhe ashtu bardhë fare në fytyrë të keqen mami, sikur nuk shkonte”.

Aurela në këtë rrëfim tregoi edhe dobësinë e saj kur ka qarë përballë fjalëve të injorantëve siç i quan ajo, në kohën kur i thonin se ishte shëndoshur, për shkak të ilaçeve dhe ushqimit, apo përballjes kur tregonte gjininë e fëmijës.

“Këta e marrin të mirëqenë të keqen mami që ti je aty tek barku e mami duhet të jetë balerinë. Eeeee të mos flasim pastaj të keqen mami kur mësonin se ishe vajze e jo djalë. Ohhhhhhh Pa merak zemra e mamit se mami jot e ka përgjigjen gati edhe më fal nëse ndonjëherë kam qarë kur përballesha me injorancën”.

Dhe në fund Aurela falenderon Zotin që bekoi dashurinë e tyre dhe ajo mban në krahë të voglën, pasi shumë nëna nuk ia kanë dalë në ato kushte.

Aurela apelon që gjithë nënat e reja të injorojnë këdo që përflet format e tyre trupore.

“E nëse dikush nga “Të paditurit ” ju bie në qafë për format e trupit e për peshën , thjesht lumturohuni që Zoti ju ka bekuar me dhuraten me të shtrenjtë që i ka bërë njeriut.

Ka shumë njerëz në bote që luten e provojnë pafund shumë mënyra që të kenë me të shtrenjtën e më të bukurën ndjesi e fatkeqësisht disa nuk munden.. uroj me shpirt që lutjet e tyre të plotesohen.

Ka shumë nëna e fëmijë që nuk ja dalin dot deri në fund…

A e imagjinoni sa me fat jemi qe jemi ne jete e mundemi te kujdesemi per familjen? …”- shkruan këngëtarja.

Ajo tregon se për të gjithë ata që i kanë rënë në qafë gjatë kësaj periudhe ka bërë një bluzë në emer të të gjitha mamave, për të kujtuar atë periudhë.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF