Në përfundim të sezonit veror, lajmi për divorcin e Jonida Maliqit dhe Gent Prizrenit u bë kryefjala e portaleve, ndërsa nuk pati asnjë prononcim zyrtar nga këngëtarja lidhur me atë çka tashmë kishte përfunduar. Historia 17-vjeçare e lumturisë nuk ishte ndër ato më idealet, por aktiviteti i Jonidës vazhdon i njejtë si më parë, ose të paktën kështu paraqitet në sy të publikut. Pasi ka pranuar ftesën nga ‘Top Albania Radio’, këngëtarja ka folur për herë të parë për këtë periudhë të jetës.
Maliqi falenderoi fillimisht mediat që kanë krijuar një distancë të konsiderueshme nga vetë ajo, duke mos e pyetur lidhur me marrëdhënien e përfunduar. Ashtu siç dhe e kemi kuptuar, Jonida e ka ritheksuar se fokusi i vetëm për të, tashmë ishte djali i saj, Dan. “Kur pretendon se do të nisësh një marrëdhënie, nuk pret ta përfundosh, por t’i shkosh deri në fund”, ka thënë fillimisht këngëtarja, ndërsa komenti lidhur me këtë temë nuk ka qenë fort i gjatë.
“Rasti im nuk ishte i tillë, kështu është jeta. Nuk kam dhënë detaje rreth kësaj çështje, ashtu sikurse nuk kam dhënë detaje kur kam qenë e lumtur. Jo më kot jeta ime personale më përket vetëm mua”, ka përfunduar Maliqi, duke mos lënë vend për të tjera komente. Dhe vërtetë, sidomos këto vitet e fundit, Jonida ka qendruar larg mediave kur ka ardhur puna tek jeta private.