E identifikojmë nga zëri që komenton çdo ndeshje futbolli. Plot energji dhe humor, Shakohoxha vështirë të dalë nga kujtesa si personazh. ‘Në kurthin e Piter Pan’ mbrëmjen e djeshme zbuloi dhe një anë tjetër të Shakohoxhës, disi larg asaj që kemi gjithmonë para syve.
Ndoshta diçka e re për shumicën, por komentuesi i sportit është bërë baba në moshë fare të re. “Kam lindur i martuar”, ka thënë Shakohoxha me humor, duke zbuluar se djali i tij, Frenkli, ka ardhur në jetë kur Dritani ishte vetëm 23 vjeç. Por, si çdokush tjetër, edhe Shakohoxha është përballur me një çast tejet të vështirë në jetë – momente që nuk harrohen aspak. Gjithçka lidhet me Frenklin dhe një aksident që ai ka bërë në moshë fare të vogël.
“U vra në kokë. Na u krijua idea që do t’i ndodhte diçka shumë e keqe. Thonë shpesh që njeriu mund të qendrojë pa gjumë, por ne kemi qenë zgjuar për pesë ditë, pa fjetur dhe pa ngrënë…Zoti është i madh, gjithçka kaloi”, është shprehur Shakohoxha, duke shprehur lehtësimin që tashmë situata i përket të shkuarës. Merak tipik prindëror…



















