E ftuar tek “Opinion “ në Tv Klan me Blendi Fevziun, Alketa Vejsiu u tregua në intervistën e saj po aq e shpenguar sa e kemi parë gjithmonë. Me përgjigjet “në majë të gjuhës“, moderatorja i mëshoi idesë se mënyra e prezantimit ishte këndvështrimi i saj për atë që është Sanremo në të vërtetë.
“ Italia është një ëndërr për të cilën kam punuar, nuk e kam parë me sy hapur. Më nevojitej një trampolinë promovimi, nuk e bëra këtë sepse pretendoj të fitoj një kontratë pune. Nuk do ta le asnjëherë Shqipërinë, këtu kam projekte shumë të mira dhe një biznes që funksionon shkëlqyeshëm“, ka thënë Alketa. E ngacmuar nga pyetjet e Blendi Fevziut, ajo tregoi se marketingu në mediat sociale ka qenë ndihmesë për ftesën e marrë. Rrjetet sociale, sic tha ajo, bëjnë dëme të mëdha kolektive. Por nga pikëpamja e Alketës, ato dëmtojnë njerëzit e dobët, dhe mund të përdoren ndërkohë nga ana tjetër për të komunikuar mesazhe të shkëlqyera pa para.
Edhe një herë, tregoi sesi rrugës për në Kosovë i kishin mbërritur mesazhe urimi në Instagram, në një kohë kur ende as vetë nuk e dinte se ishte zgjedhur si prezantuese. Vetëm pasi kontrolloi konferencën për shtyp të Amadeusit e kishte zbuluar këtë fakt. “Ndalova makinën dhe qava nga gëzimi“, qenë fjalët e saj. Por përse u përzgjodh pikërisht ajo?
“ U përzgjodha për shkak të aftësisë time; nata e tretë ishte natë ndërkombëtare, u zgjodhën vajza të huaja, unë dhe Georgina. Unë shkova për të cuar atje ëndrrën e Alketës, që kishte dhe Shqipërinë me vete. Shkova me krenarinë e një vendi që më ka ngjitur në piedestal. Mua ky vend më bëri, në Sanremo shkova më krenare se kurrë që isha shqiptare“, u shpreh Alketa.
Më tej, Blendi preku një “cështje nevralgjike“, dhe i kërkoi regjisë të tregohej momenti ku Alketa rrëfente sesi i ishte besuar drejtimi I RTSH-së si e vetmja femër. Ajo u shpreh se eshte keqkuptuar, dhe se në fakt, kishte thënë se ka qenë e para femër që ishte njëkohësisht drejtuese artistike dhe prezantuese e festivalit.
Më tej, moderatorja preku dhe cështjen tjetër të shumëdiskutuar, atë të mikrofonit të hapur dhe 4 minutëshit të kaluar, por shtoi me sinqeritet se nuk e kishte llogaritur kohën, megjithatë këmbënguli se momenti i saj në Sanremo ka rezultuar mjaft i mirë në kurbën e shikueshmërisë. Po ajo puna e festës kombëtare? Alketa kujtoi sesi Fiorello kishte thënë për Sanremos se ishte për italianët si një festë kombëtare. “ Ajo që unë thashë ishte shumë metaforike dhe e ciltër, për italianët është një festë, ndaj e thashë dhe për ne në mënyrë shumë të shpenguar, unë jam entuziaste jo delirante, nuk mund të dënohem për këtë gjë“, ka qenë komenti i moderatores.