
Kremtimet e këtij fundviti do të jenë ndryshe nga të tjera. Dritat nëpër rrugë, edhe më të shumëllojshme e të përzgjedhura se vite të tjera, ndihmojnë të ndihet atmosfera festive, por nuk e zëvëndësojnë atë që mbetet shpirti i këtyre festave: kremtimi me të afërmit e miqtë, ndarja e gëzimit me të tjerët. Për dy javë, vendi praktikisht do të mbyllet në 20 e 30, për t`u hapur më pas në orën 6:00, kufizim i cili do të vlejë edhe per Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Masat e marra nga forcat e rendit për këtë periudhë, i njoftoi Drejtori i Departamentit për Sigurinë në Policinë e Shtetit Gjovalin Loka. Ai shpjegoi se strukturat e Policisë së Shtetit do të sigurohen që jashtë orarit të lejuar, të mos lëvizin qytetarë apo automjetet, si dhe që asnjë lokal të mos jetë i hapur. Përjashtohen nga ky kufizim vetëm personeli shëndetësor, ai policor, ushtarak, gazetarët dhe ata që janë në punë turni i tretë në linjat e prodhimit të konsumit të përditshëm.Gjithashtu u njoftua se gjatë këtyre javëve do të shtohen prania e uniformave blu, përfshirë të Forcave Speciale, në vend, për të mbajtur në kontroll ndonjë incident të mundshëm, do të shtohen kontrollet në rrugë për të shmangur aksidentet, me ndalimin e mjeteve që lëvizin jashtë normave të lejuara apo të shoferëve që janë nën efektin e alkoolit. Si dhe shtimi i kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë fìshekzjarrë.