Lindita Halimi ka sqaruar në intervistën për Soirée, edhe një përplasje të shumëdiskutuar me Eneda Tarifën, por që sipas këngëtares kosovare, ishte vetëm një keqkuptim. Në fakt, pasi Eneda fitoi festivalin e 54-t në RTSH me këngën “Përrallë”, Lindita postoi në rrjetet sociale një status ku ankohej për këngët “depresive, dramatike dhe me britma”, dhe pasi Halimi vetë u shpall fituese me baladën e titulluar “Botë” një vit më pas, Eneda i ktheu përgjigje të drejtpërdrejtë në vitin 2016 me një status ku përsëriteshin të njëjtat fjalë.
Por Lindita thotë se statusi nuk ishte për kolegen. “Nuk e kam pasur aspak për Enedën. Nuk ka qenë tema për të. Më ka shkruar juria dhe më ka thënë, ‘Pse nuk vjen me një baladë’. U kam thënë që jam e re dhe dua këngë ritmike. E kam thënë në përgjithësi dhe duket se Eneda e ka marrë si ofendim.” – tha Lindita në Soirée.“Njerëzit janë lodhur nga këngët vajtuese, dramatike, britma!! Jetojmë në një kohë ku duam ritëm, meqë na kanë mbytur hallet e jetes, dhe duam relaks, kënaqësi, të harrojmë hallet! Mjaft më me kengë depresive!!! U bëmë bajat jo për gjë…!!! Sikur na ka ngec disku në replay! Mirë kaq kisha. Shëndet për të gjithë,” ishte statusi në fjalë.



















