Sara Hoxha, ose mami i Poem, apo partnerja e reperit Ledri Vula ja ‘dorëzoi’ mbrëmjen e kaluar intagramin bebushes Poem, ku ndjekësit ishin të lirë të pyesnin për gjithçka donin të dinin rreth së voglës. Në morinë e pyetjeve nga ndjekësit e shumtë, pyetje që u më shpesh ishte ‘Kë do më shumë, mamin apo babin’, gjë që e ka habitur jo pak dhe me të drejtë mami Sarën.
Psikologë dhe psikiatër të ndryshëm e theksojnë gjithmonë që kjo pyetje nuk duhet t’u bëhet fëmijëve, pasi krijon konfuzion dhe pasiguri në rritjen e fëmijës. Lidhur me këtë pyetje, pak kohë më parë pediatrja Lira Gjika nëpërmjet një postimi në facebook thekson se kjo pyetje duhet të hiqet nga përdorimi.
“Kë do ti më shumë? Kjo pyetje e tmershme, jo vetëm e vendos fëmijën përpara dilemës se cilin duhet të zgjedhë, por ushqen edhe dyshimin dhe pasigurinë. Kjo pyetje, që e drithëron fëmijën, që i than shpirtin fëmijës, mesa duket, është e pamundur të shkulet nga fjalori ynë. Këtë pyetje, ia bëjnë fëmijës, të gjithë të rriturit pa përjashtim: prindërit, gjyshërit, mësuesit, gazetarët, deri pediatrit e psikologët. Asnjërit nuk i shkon mëndja, se çfarë presioni dhe ankthi i krijojnë fëmijës. Fëmija nuk e kupton këtë frazë, pasi ai mendon se janë të rriturit, që duhet ta duan dhe jo ai, që është i vogël. Gjithashtu e vendosin para një zgjedhjeje, që ai nuk di ta bëjë. Ai ka nevojë për të dy prindërit e tij dhe nuk arrin të kuptojë pse duhet të zgjedhë njërin. Të rritur, lëreni të qetë fëmijën. Jepini ju dashurinë dhe sigurinë, aq të nevojshme për të, që të bëhet një i rritur i zoti e i lirë e jo dipendent e dyshues ndaj tjetrit. Të rritur pa përjashtim hiqeni këtë pyetje nga përdorimi, nëse vërtetë i doni fëmijët.Lira Gjika”