Ylli i pop-it Britney Spears ka fituar betejën ligjore me të atin. Ajo dëshmoi kundër tij 3 muaj më parë, dhe këtë të mërkurë Gjykata në Los Angeles vendosi në favor të saj, duke pezulluar pas 13 vitesh babanë e saj Jamie Spears, nga roli i kujdestarit të pasurisë dhe karrierës së saj.
Ndërkohë si kujdestar të përkohshëm, Gjykata vendosi kontabilistin John Zabel, i emëruar nga ekipi i këngëtares. Kujtojmë që në muajin qershor, Britney Spears qau gjatë seancës gjyqësore, teksa hodhi akuza të rënda mbi Jamie Spears, duke e cilësuar abuzive kujdestarinë e tij.
Ndër të tjera ylli i pop-it në atë seancë dëshmoi se dëshiron të martohet dhe të ketë fëmijë në të ardhmen, por asaj nuk i lejohet për shkak të rregullave ligjore të vendosura ndaj saj, ndërkohë që është detyruar edhe të punojë kundër dëshirës së saj.



















