Drejtorja e revistës “Bordo”, Ilda Lumani, ishte e ftuar pasditen e kësaj të mërkure te “Rudina”, ku si rrallëherë ajo foli për karrierën e saj të gjatë dhe të suksesshme, si dhe për jetën e saj familjare.
Prej 17 vjetësh në gazetari, duket se Ilda Lumani po jeton ditët e saj më të mira, pasi mund të themi me plot gojë se ajo tanimë është e përmbushur, si në jetën personale, ashtu edhe në atë profesionale.
Ndërkohë, Ilda tanimë, është e angazhuar edhe në televizion, ku sikurse vitin e kaluar edhe këtë sezon do të jetë autorja e programit të suksesshëm “Love Story” në Tv Klan. Gjatë intervistës ajo zbuloi disa nga të rejat që do të këtë sezoni i dytë i “Love Story”, duke shuar kureshtjen e teleshikuesve, “Love Story” do pasurohet këtë edicion. Vjet kemi pasur vetëm një djalë, ndërkohë këtë vit do të jetë një djalë dhe një vajzë, çka e ka bërë edhe më interesante dhe ka zgjuar një lloj kurioziteti. Sepse edhe të shohësh një vajzë që do të zgjedhë partnerin në ekran është një lloj sfide dhe besoj që do të ketë zhurmë. Janë 10 vajza që vijnë për të bërë për vete një kandidat djalë dhe 10 djem që do të bëjnë për vete një vajzë”, tha Ilda.
Autorja e “Love Story” shtoi se e veçanta tjetër është se këtë vit do të ketë një program të dedikuar çdo ditë dhe do të drejtohet nga Eni Shehu, ku do jetë mundësia që personazhet të njihen edhe më shumë me njëri-tjetrin.
Ilda zbuloi se spektakli do të nisë në mes të nëntorit dhe gjithë stafi është duke punuar për të sjellë një format argëtues për publikun, por edhe një format me vlera.
“Spektakli do të nisë në mes të nëntorit dhe besoj që e gjithë kjo punë do të ketë një rezultat të mirë. Këto formate janë të tilla, ti nuk e di asnjëherë çfarë do të ndodhë, sepse ngjarjet zhvillohen hap pas hapi, nuk është një spektakël që ti e di se do të kërcejnë apo këndojnë. Është diçka që ka të bëjë me ndjenjat, me emocionet, kështu që varet nga personazhet dhe ajo çfarë do japin. Ajo që duhet thënë është që të gjithë kandidatët që vijnë, personazhet e rinj që do dalin të ekran janë të gjithë të shkolluar, të edukuar, qytetarë. Kjo e bën edhe më të veçantë dhe i jep një lloj vlere programit tonë. Besoj që nuk do të jetë thjesht një program argëtues, por personazhet e rinj do të jenë shembull për shoqërinë në shumë drejtime”, përfundoi ajo.



















