Një email, i publikuar nga media shtetërore kineze në Twitter, i cili supozohet të jetë nisur nga një teniste profesioniste kineze, ka nxitur shqetësime lidhur me sigurinë e saj. Emrat të njohur të sportit dhe personazhe të tjerë jashtë vendit, i kanë bërë thirrje Pekinit për të dhënë informacione se ku ndodhet tenistja dhe nëse është mirë.
Po deri tani këto thirrje janë përballur me heshtje, thotë VOA. Zyrtarët kinezë nuk kanë thënë asgjë publikisht, që kur tenistja e njohur kineze Peng Shuai akuzoi një ish-zyrtar të lartë të qeverisë për sulm seksual. Ky është rasti i parë i bërë publik në kuadër të lëvizjes #MeToo që prek sferën politike në Kinë.
Ai nuk është raportuar nga mediat vendase dhe debatet mbi këtë çështje në internet janë censuruar.
Shefi ekzekutiv i Shoqatës së Tenisit për Femra, Steve Simon, hodhi dyshime rreth email-it, që i ishte drejtuar atij vetë. Në email-in që pretendohet të jetë shkruar nga zonja Peng, thuhet se ajo nuk ndodhej në rrezik dhe se pretendimi për sulm seksual nuk është i vërtetë. Emali u publikua nga shtypi shtetëror kinez. “E kam të vështirë të besoj se është vetë Peng Shuai që ka shkruar email-in që kemi marrë”, shkruan Simon.