Ceremonia e çmimeve “Oscars” duket se i ka rënë shkëlqimi këto vitet e fundit. Edhe pse është cilësuar si gjigant i kinematografisë botërore, duket se njerëzit nuk kanë më interes për ta ndjekur, të paktën dekadën e fundit.
Audienca e kësaj ceremonie madhështore ka rënë me 70% në dekadën e fundit. Vlerësimet kanë rënë vazhdimisht me disa milionë çdo vit që nga viti 2014, përveç vitit 2019, kur pati një rritje modeste prej 3.1 milionë shikuesish. Vitin e kaluar, vlerësimet për shfaqjen ranë me më shumë se 50% nga një vit më parë.
Sipas “The Hollywood Reporter”, këtë vit ceremonia tërhoqi vetëm 15.36 milionë shikues, më shumë sesa ceremonia e vitit të kaluar, por gjithsesi janë shumë poshtë viteve të mëparshme.
Në fakt shumë shfaqje u detyruan të organizonin ceremoni virtuale në vitin 2021 për shkak të pandemisë dhe kjo u shkaktoi atyre një audiencë jashtëzakonisht të ulët. “Brenda harkut më të madh të historisë së Hollywood ne nuk po shikojmë vetëm rënien e ‘Oscars’, ne po shikojmë fundin e filmave”, shkruan në një artikull të “NewYork Times”, analisti Ross Douthat.



















