Aktorja Mila Kunis u ngjit në skenën e ceremonisë së ndarjeve të çmimeve Oskar, për të prezantuar Reba McIntyre, ndërsa ka bërë një ndërhyrje mbi luftën në Ukrainë.
“Javët e fundit, bota ka mbetur e tronditur nga një pushtim jo i provokuar dhe nga një akt agresioni”, ka thënë aktorja duke iu referuar vendit të saj të origjinës, pa ia përmendur emrin.
Çifti Kunis- Ashton ndërmorën një iniciativë për mbledhjen e fondeve për luftën e Ukrainës, ku arritën të bënin një shumë prej 35 milionë dollarësh në një kohë rekord. Dhe ndërsa aktorja fliste një mesazh prej 60 sekondash kaloi në ekranin e madh në momentin e mbledhjeve të fondeve. “Edhe pse kinemaja prezanton një mjet shumë të rëndësishëm për të shprehur humanizmin në kohë lufte, në realitet miliona familje në Ukrainë kanë nevojë për ushqim, kura mjekësore, ujë dhe shërbime të tjera të emergjencës. Ju kërkojmë të ndihmoni Ukrainën në çdo mënyrë të mundshme.”
Mesazhi u cilësua shumë i thjeshtë dhe madje u kritikua për hapësirën e vogël që Akademia i dha Ukrainës. Për aktorin Sean Penn kjo ishte fare e pamjatueshme, i cili priste dhe ndërhyjrjen e presidentit Zelensky. Lideri ukrainas nuk u shfaq gjëkundi. Sipas burimeve para ceremonisë presidenti ukrainas ishte në tentativë për një lidhje direkte gjatë ceremonisë, ku ai do t’i drejtohej publikut amerikan, me një fjalim të shkurtër. Por nuk ndodhi asgjë e tillë. Kjo për faktin që Akademia e Aktorëve nuk donte ta politizonte këtë event. Vetëm regjisori Francis Ford Coppola, i cili u ngjit në skenë për të marrë çmimin me rastin e 50-vjetorit të “Padrino”-s, tha në fund të fjalës së tij “Rroftë Ukraina”.



















