Sot është një aktore mjaft e vlerësuar, por Viola Davis bëri një rrëfim të dhimbshëm mbi jetën e saj. E rritur në varfëri ekstreme në Central Falls, ajo ka treguar traumat dhe vuajtjet që e shoqëruan në jetë. Ajo tregoi se kishte vuajtur urinë. Së bashku me pesë vëllezërit e motrat e saj, kërkonin në kosha plehërash për ushqim, aty ku ngacmoheshin nga djemtë që i gjuanin me gurë, për faktin se ishin me ngjyrë.
“Mënyra se si reagoni bazohet tek mbijetesa,” thotë fituesja e Oscar dhe Emmy, për People. “Çelësi është të mbijetosh. Unë bëra atë që kisha në dorë të bëja në moshën 8-vjeçare. Kam luftuar. Dhe kjo luftë më shërbeu sepse jam ende në këmbë.”
Problemet nuk mungonin edhe brenda shtëpisë, ku i ati dhunonte të ëmën si dhe atë vetë. Megjithatë, përpara se të ndërronte jetë nga kanceri i pankreasit në vitin 2006, ai bëri paqe me bashkëshorten e tij, e cila qëndroi me të për 48 vjet deri në fund.
“Babai im ndryshoi.Mamaja ime tha se i kërkonte falje çdo ditë. Çdo ditë, ai i lutej për falje. Ndonjëherë njerëzit nuk e kuptojnë se jeta nuk është një ABC. Është e çrregullt. Ai e bëri, e lëndoi, por dashuria dhe falja mund të veprojnë mbi çdo gjë.Unë e rregullova marrëdhënien me të para se tgë vdiste. Babai im më donte. E pashë. E ndjeva. Për mua, kjo është shumë më mirë sesa të kaloj gjithë jetën duke mbajtur një urrejtje. Kjo është zgjedhja ime. Kjo është trashëgimia ime: falja e babait tim.”



















