Unioni i Transportit Publik i ka dërguar së fundmi një letër Bashkisë Tiranë, ku i ka renditur vështirësitë me të cila po përballet ky sektor që nga shpërthimi i pandemisë dhe më tej rritja e çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit për vijimin e paketës antikrizë ose në të kundërt rritjen e çmimit të biletës për të bërë të mundur shërbimin qytetas.
Në kërkesën e shoqatës thuhet se për muajin gusht nuk do të ofrohen abone.
“Sot, në ditën e paraqitjes së kësaj kërkese, në prag të fillim muajit gusht, në emër të të gjithë operatorëve të këtij shërbimi ju konfirmojmë se, në mungesë të subvencionimit të menjëhershme ato, për arsye të gjendjes financiare të krijuar e kanë të pamundur tërheqjen pranë organit tatimor dhe shpërndarjen e biletave të pajtimit mujor për muajin gusht. Me rezervat e gjendjes se karburantit të akumuluar mund ta ofrojmë këtë shërbim deri në datat 30-31 korrik 2022, për më tej vazhdimësia mbetet e ndërvarur nga subvencioni shtetit”, thuhej në letër.



















